Botë

Mbyllen të gjitha kopshtet, shkollat dhe universitetet në Greqi

10.03.2020 21:19

Në 14 ditët e ardhshme mbyllen të gjitha institucionet arsimore në Greqi, si parandalim...

Në 14 ditët e ardhshme mbyllen të gjitha institucionet arsimore në Greqi, si parandalim, që të ulet përhapja e koronavirusit, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Ministri i Shëndetësisë së Greqisë, Vasilis Kikilas, pasdite kumtoi se shtyhet puna e të gjitha kopshteve, shkollave dhe universiteteve private dhe shtetërore.

“Të gjithë duhet të tregojmë përgjegjësi individuale, ndërsa në rastin konkret, prindërit t’i kufizojnë fëmijët, sepse masa ka të bëjë për uljen e përhapjes së virusit. Tani është momenti kur të gjithë grekët duhet të tregojmë përgjegjësi”, ka thënë Kikilas.

Ministri i Shëndetësisë shtoi se janë paraparë masa për prindërit e punësuar të nxënësve si dhe për bizneset e prekura nga koronavirusi.

Sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina, kryeministri grek Kirijakos Micotakis, i cili sonte kthehet nga Austria, gjatë ditës së nesërme do të dalë me kumtesë për masat për shmangien e përhapjes shtesë të virusit, për mbrojtje të shëndetit publik dhe për përballje me pasojat ekonomike.

Në Greqi janë konfirmuar gjithsej 89 raste të të infektuarve me Kovid-19./mia