Maqedoni

Lirimi nga puna i njërit prind, MPPS: Duhen vërtetime nga kopshtet e shkollat

11.03.2020 14:34

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale iu bën thirrje të punësuarve dhe të gjithë punëdhënësve që rreptësisht t’i respektojnë masat...

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale iu bën thirrje të punësuarve dhe të gjithë punëdhënësve që rreptësisht t’i respektojnë masat të cilat Qeveria i solli në seancën e së martës për parandalimin e përhapjes së virusit Korona.
 
Mosrespektimi i rekomandimeve për lirimin nga  obligimet e  punës së një prej prindërve të fëmijëve të moshës 10-vjeçare mund të denoncohet në Inspektoratin Shtetëror të Punës në numrin 151 31. Por, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale u rikujton të gjithëve se mungesa e prindërve justifikohet kryekëput me certifikatën e lindjes së fëmijëve si dhe me vërtetimet e lëshuara nga kopshtet dhe shkollat fillore, me ç’rast do të mënjanohet çdo keqpërdorim i masave qeveritare. Gjithashtu duhet edhe vërtetim nga puna e njërit prind që nuk do ta shfrytëzojë masën e me këtë me automatizëm punëdhënësi i prindit tjetër, duhet ta lirojë nga puna.
 
Sa i përket ndërprerjes së punës në qendrat për kujdes të personave me aftësi të kufizuara, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë edhe se lirimi nga aktivitetet e punës së prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara është zgjeruar në prindër të fëmijëve dhe të rinjve dhe të moshës mbi 10-vjeçare. Prindërit është e nevojshme që sipas parimit të njëjtë të dorëzojnë vërtetim se personi është shfrytëzues i shërbimit të Qendrës ditore për persona me aftësi të kufizuara.
 
REXHEP QAMILI