Maqedoni

Përfaqësimi i grave në listat zgjedhore, Toska: Diskriminuese, asnjë grua bartëse liste

11.03.2020 16:34

Moskryesimi i listave zgjedhore të partive shqiptare nga gratë është diskriminuese...

Moskryesimi i listave zgjedhore të partive shqiptare nga gratë është diskriminuese, vlerëson opinionistja, Dijana Toska. Në “Argument” në TVM2, Toska thotë se për këtë pasqyrë fajtore janë edhe femrat e kyçura në parti, zëri i të cilave nuk reflektohet në vendimmarrje.
 
“Aq është poshtëruese për mua si femër, d.m.th. unë të jem brenda një partie politike dhe je rezervë, gjithmonë je dyshi, je numri, je rezerva dhe gjithmonë je një letër në xhepin e një mashkulli, i cili sa herë që duhet ta plotësojë një vend të zbrazët, e nxjerr letrën dhe në atë letër është emri i një femre shqiptare. A ka gjë më poshtëruese që të jesh brenda një partie politike dhe të kesh këtë vlerësim nga ana e burrave brenda saj.”,- tha opinionistja, Dijana Toska.
 
Përfaqësimi i grave në listat zgjedhore, Zendeli: S’janë kuotë, por të radhitura lartë në lista
 
Por, përfaqësueset partiake në debat kundërshtuan këtë konstatim. Sipas tyre, me rëndësi është cilësia e jo radhitja. 
 
“Faktin se a jemi të kënaqura me pozitën, d.m.th. numrin 2 apo numrin 3, mendoj se është pjesë e vlerësimit të një individi dhe askush nuk të vendos as në pozitën numër 1, as në dysh as, në tresh pa të pyetur dhe mënyra se si vlerësojmë dhe si i pranojmë ato pozicione është pjesë e integritetin personal.”,- u shpreh Arta Bilalli Zendeli nga BDI.
 
Abazi: Me rëndësi është cilësia e kandidateve
 
“Nëse ne nuk kemi luftë për idenë më të mirë, për shtyrje të procesit më të mirë, për nxjerrjen e ligjit më të mirë, për avancimin qoftë të të drejtave të gruas e kështu me radhë, atëherë nuk luan rol se ne sa do t’i kemi, d.m.th. varet shumë nga integriteti i personit i cili do të jetë deputet.”,- theksoi Bujare Abazi nga Koalicioni ASh – Alternativa.
 
Sipas Kodit Zgjedhor, partitë janë të obliguara që në listat partiake të kenë 40% të përfaqësimit të grave. Dorëzimi i listave duhet të përmbyllet më 12 mars.
 
MERAL ISMAILI