Maqedoni

Të enjten Spasovski mbledh liderët në takim. KShZ: Arrihet konsensusi, votohet edhe në diasporë

11.03.2020 17:03

Kovid-19 jo vetëm që ka izoluar njerëzit në shtëpi, por vë në pikëpyetje edhe realizimin e zgjedhjeve...

Kovid-19 jo vetëm që ka izoluar njerëzit në shtëpi, por vë në pikëpyetje edhe realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit.
 
Edhe pse institucionet relevante këshillojnë të mos bëhet panik, masat e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit Korona, do t’i ulin në tavolinë kryeministrin teknik dhe liderët e partive më të mëdha në vend për të diskutuar dhe sjellë vendime konkrete sa i përket procesit zgjedhor.
 
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk precizoi nëse ka gjasa të shtyhen zgjedhjet, por që theksoi se situata është e paparashikueshme.
 
“E përcjellim situatën edhe në vendet fqinje edhe në shtetet evropiane dhe tani është tepër vështirë të përcaktojmë se çfarë do të ndodhë saktësisht. Sa i përket takimit të liderëve të partive, ne jemi të fokusuar në ballafaqim me virusin Korona, ka situata që nuk mund t`i parashikojmë. Deri tani është vështirë të mbyllim kufijtë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Edhe pse nuk dihet se çfarë vendimi do të dalë nga takimi i liderëve, nga BDI thonë se shkaku i situatës në vend ka reduktuar në minimum aktivitetet e tyre. 
 
“Për shkak të gjendjes aktuale takimet, tubimet e mëdha me qytetarë tash më janë anuluar, kemi aktivitetet të rregullta si parti, por mundohemi që t’i mbajmë me numër sa më të vogël dhe deri më tani kanë dhënë efektin e duhur.”,- tha Arbër Ademi nga BDI.
 
Teksa ideja për shtyrjen e zgjedhjeve ka dalë në opinion, KShZ vazhdon punën. Për zgjedhjet e 12 prillit kësaj radhe do votojë edhe diaspora. Në prag të skadimit të afatit të paraqitjeve për zgjedhjet në diasporë, është arritur censusi prej 6540 paraqitjesh të konfirmuara, si kusht për t’u organizuar zgjedhjet atje.
 
Më shumë të paraqitur ka në Venecia, Melburn dhe Berlin. Nuk dihet ende si do mund të organizoheshin zgjedhjet në Venecia nëse situata me Koronën nuk ndryshon. Ajo që dihet është se atje janë paraqitur 400 votues, për të tjerat duhet pritur si do rrjedhin ngjarjet.
 
SANIJE DURAKU