Botë

Shqipëri, regjistrohet viktima e parë nga virusi Korona

11.03.2020 17:42

Në Shqipëri është shënuar viktima e parë nga virusi Korona....

Në Shqipëri është shënuar viktima e parë nga virusi Korona. Një 73-vjeçare nga Durrësi ka ndërruar jetë për shkak të një sërë sëmundjesh të tjera bashkëshoqëruese. Ndërkohë, janë shënuar edhe 11 raste të tjera të prekurish me Covid-19, si dhe 157 ekzaminime. 
 
Të ardhurit nga Italia, Rama: 14 ditë vetizolim, ose 5 mijë euro gjobë
 
Kryeministri, Edi Rama, u ka kërkuar të gjithë personave që kanë ardhur 2 javët e fundit nga Italia, që të vetkarantinohen për 14 ditë. Për të kryer verifikime, në terren do të dalë edhe ushtria. Nëse urdhri për vetizolim nuk zbatohet, Rama tha se shkelësit do të gjobiten me 5 mijë euro.
 
“Ata që janë kthyer 14 ditët e fundit nga Italia apo nga zonat e tjera të prekura të vetkarantinohen. Sot do të dalin në rrugë policia e shtetit dhe policia ushtarake që do të organizojnë postblloqe të automjeteve dhe do të ndalojnë nëse në automjet ka pasur në 14 ditët e fundit që ndalohen të dalin nga shtëpia. Nga nesër kush kapet në rrugë do të dënohet me 5 mijë euro gjobë.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Rama urdhëroi mbylljen e të gjitha lokaleve apo vendeve ku mund të ketë grumbullime njerëzish. Ministria e Brendshme ka pezulluar të gjitha shërbimet, me përjashtim të kallëzimeve penale. Edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar ka vendosur të anulojë faljen e namazit të premten, me qëllim mbrojtjen nga virusi Korona.
 
LULJETA NDOKA