Maqedoni

Virusi Korona, Çulev: Policia patrullon shtëpitë e të izoluarve

11.03.2020 17:56

Në pesë pikat kufitare dhe në të dy aeroportet e vendit, po kontrollohen me kujdes të gjithë pasagjerët...

Në pesë pikat kufitare dhe në të dy aeroportet e vendit, po kontrollohen me kujdes të gjithë pasagjerët, e sidomos ata që vijnë nga vendet e zonës së kuqe.
 
Patrullat policore i kontrollojnë edhe personat të cilëve u është shqiptuar masë e izolimit për shkak të virusit Korona.
 
“Për momentin kemi vullnetarë të Kryqit të Kuq që veprojnë  në dy pika kufitare, në Tabanoc dhe Deve Bair. Lidhur me personat që instituti i shëndetit publik u ka caktuar masë izolim shtëpiak, marrë parasysh që ky numër vazhdimisht shkon në rritje, të gjitha kapacitetet e MPB-së janë duke u përdorur për t'u siguruar atyre patrulla.”,- deklaroi ministri teknik i punëve të brendshme, Naqe Çulev.
 
Pajisjet mbrojtëse për policinë, Çulev: Kemi maska, do të sigurojmë dezinfektues
 
Për shkak të rritjes së ekspozimit të rrezikut dhe kontaktit të mundshëm me të infektuarit, MPB-ja ka siguruar dhe është në proces të sigurimit të pajisjeve shtesë mbrojtëse.
 
“Kemi maska mbrojtëse me një shkallë më të lartë mbrojtjeje me filtra që anëtarët e MPB përdorin në kontrollet kufitare kur kryejnë kontrollimin e autobusëve dhe mjete të tjera të transportit për një numër më të madh të udhëtarëve. Do të sigurojmë dezinfektues dhe do të ndahen në stacione policie.”,- u shpreh Naqe Çulev nga MPB.
 
Nëse nga intervista paraprake në pikat kufitare dyshohet se ka nevojë edhe për një kontroll mjekësor, ekipet e MPB-së thërrasin në ndihmë ekipet e ndihmës së shpejtë.
 
GYLTENE SINANI