Maqedoni
Virusi Korona, edhe dy raste të reja të konfirmuara
11.03.2020 18:13
Edhe dy pacientë të rinj janë të infektuar me virusin Korona...

Edhe dy pacientë të rinj janë të infektuar me virusin Korona. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, informoi se dy pacientët janë nga Dibra dhe kanë qenë në kontakt me dy persona që kanë qenë veç më të infektuar. Ai shtoi se të gjithë personat tjerë që kanë qenë në shtëpi me dy të infektuarit nuk janë infektuar por se do të qëndrojnë në izolim shtëpiak.
“Nga të gjithë pacientët e testuar sot, dy rezultojnë pozitivë me virusin Korona. Këta dy persona janë nga Dibra, kanë pasur kontakt me 3 të infektuar më herët, kanë qenë komshinj dhe kanë pasur kontakte të shpeshta. Të gjitha të afërmit e tyre që kanë jetuar në një shtëpi janë negativë, por do të vazhdojnë të jenë nën izolim, pasi gjendja e tyre shëndetësore e lejon të jenë në vetizolim dhe të mos hospitalizohen.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
7 pacientët tjerë që veç më janë me virusin Korona gjenden në Klinikën Infektive në Shkup dhe janë në gjendje stabile me pasqyrë të lehtë klinike. Kurse të gjithë personat që dyshohet se ka qenë në kontakt direkt apo indirekt me drejtoreshën e infektuar të Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës janë në izolim shtëpiak, ndërsa mungesa e personelit ka bërë jofunksionale klinikën në qytetin e Shkupit dhe atë të Shtipit. Filipçe theksoi se masat e shpallura dje, ku mes tjerash përfshihet edhe lirimi nga puna të njërit nga prindërit e fëmijëve deri në 10 vjeç vlejnë si për institucionet publike, ashtu edhe për ato private.
“Mungesën ndaj punëdhënësit, i punësuari e rregullon përmes një vërtetimi të lëshuara nga kopshtet dhe shkollat fillore në emër të prindërit të shënuar me periudhën e cila do të vlejë për të arsyetuar mungesën. Sa i përket ndërprerjes së punës në qendrat për kujdes të personave me aftësi të kufizuara, dua të theksoj se lirimi nga aktivitetet e punës është i njëjtë me një vërtetim që prindërit duhet të marrin se janë shfrytëzues të atij shërbimi.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale iu bën thirrje të punësuarve dhe të gjithë punëdhënësve që rreptësisht t’i respektojnë masat, ndërsa për çdo shkelje të denoncohet në Inspektoratin Shtetëror të Punës në numrin 151 31. Autoritet apelojnë qytetarët për respektim strikt të masave në fuqi, në të kundërtën çdo shkelje do të sanksionohet sipas ligjit.
ZEKIRJA MEXHITI
