Maqedoni

Xhaferi raporton për punën në krye të Kuvendit

11.03.2020 18:28

Kryetari i Kuvendit republikan, Talat Xhaferi, promovoi Raportin e Mandatit për punën...

Kryetari i Kuvendit republikan, Talat Xhaferi, promovoi Raportin e Mandatit për punën e tij gjatë mandatit prej në maj të vitit 2017 deri në shkurt të vitit 2020. Raporti i Mandatit, i cili përpilohet për herë të parë për një kryetar Kuvendi, u prezantua para korit diplomatik në vend dhe është në frymën e përcaktimit për rritjen e transparencës së institucioneve. 
 
“Në raport janë shënuar arritjet e Kuvendit në periudhën e  mandatit të tij dhe ku ai ka pasur kontributin e tij personal, ku janë numëruar aktet e miratuara me rëndësi thelbësore për përforcimin e demokracisë, memorandumet e nënshkruara për bashkëpunim dhe projektet. Aktivitetet e jashtme-politike bilaterale, aktivitetet e jashtme - politike multilaterale, fjalimet që i ka pasur dhe pasqyrë tabelore e numrit të përgjithshëm të seancave të realizuara plenare.” – thuhet në kumtesën e Kuvendit.
 
Xhaferi ka marrë vlerësime pozitive nga euroambasadori Samuel Zhbogar, për bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë.
 
“Vërtetim i atij bashkëpunimi të suksesshëm është dialogu i suksesshëm Zhan Mone, i cili mbahet në vazhdimësi dhe ai shpreson se ky ritëm i vendosur do të vazhdojë edhe me përbërjen e re parlamentare, për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë dhe rritjen e transparencës.” - citohet të ketë thënë Zhbogar. 
 
Përveç përfaqësuesve të ambasadave të vendeve anëtare të BE-së dhe jashtë saj, në promovimin e Raportit të Mandatit të pranishëm ishin dhe përfaqësues të USAID-it dhe NDI-së por edhe nënkryetarët e Kuvendit, sekretarja e përgjithshme dhe koordinatorët e grupeve parlamentare.
 
SHPËTIM NUREDINI