Maqedoni

Mungesa e pasaportave, Çulev: Presim të mbërrijnë deri më 18 mars

11.03.2020 19:26

Situata me virusin Korona nuk e ka ulur interesimin e qytetarëve për dokumente të udhëtimit...

Rreth 20 mijë qytetarë po i presin pasaportat. Ministri i brendshëm, Naqe Çulev, thotë se kompania furnizuese e pasaportave ka premtuar se ato do të vijnë prej 15 deri më 18 mars.  
 
“Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga ministri paraprak, Oliver Spasovski, dokumentet e udhëtimit duhet të arrijnë më 25 mars. Kemi premtime nga kompania se dokumentet e udhëtimit do të arrijnë për 7 deri në 10  ditë para këtij afati, që do të thotë rreth 15 deri më 18 mars. Si ministri e brendshme kemi bërë plan urgjent që sa më shumë pjesëtarë që të jetë e mundur të angazhohen për tejkalimin e krizës së pasaportave, sapo të arrijnë 100 mijë kopjet. Nëse vendoset në funksion tërë kapaciteti i MPB-së brenda 24 orësh, do të përgatiten tre mijë pasaporta, kështu që brenda javës do të plotësohen të gjitha kërkesat.",- deklaroi ministri i punëve të brendshme, Naqe Çulev.