Dibër , dezinfektohen vendbanimet dhe hapësirat publike
Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të Shtabit Operativ për Mbrojtje dhe Shpëtim të komunës Dibër....

Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të Shtabit Operativ për Mbrojtje dhe Shpëtim të komunës Dibër, mbrëmë, u realizua dezinfektim në vendbanimin “Konjare”, ku pesë persona janë infektuar nga ky virus.
“Ky aktivitet është realizuar falë Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve dhe Njësisë Rajonale të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe asaj të Qendrës për Shëndet Publik, e cila siguroi fondet e nevojshme, si dhe pajisjet mbrojtëse dhe pajisjet e tjera”, njoftoi Shtabi Operativ.
Prej aty shtojnë se aktiviteti do të vazhdojë, me qëllim dezinfektimin e hapësirave publike dhe rrugëve lokale në qytet.
Shtabi Operativ u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve, të kufizojnë lëvizjet e tyre në tërë qytetin, të jenë bashkëpunues dhe të kenë mirëkuptim.
Në të njëjtën kohë, nga Shtabi Operativ siguron që institucionet janë në nivelin e duhur të gatishmërisë dhe do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime dhe masa të përshtatshme.
Edhe komuna e Tetovës kumtoi se ka sjellë vendim për ndërmarrje të masave për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit.
Nga dita e sotme ka filluar dezinfektimi i të gjitha kopshteve për fëmijë, qendrave ditore për fëmijë, shkollave fillore dhe të mesme “Të premten më 13.03.2020 do të fillojë dezinfektimi dhe deratizim i vendeve publike dhe objekteve në territorin e komunës së Tetovës. Kjo është masë e kujdesit e cila nevojitet që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Komuna e Tetovës do ta minimizojë numrin e personelit administrativ dhe do t’i lirojë nga puna kategoritë e rrezikuara nga ky virus si personat me sëmundje kronike.
Nga Komuna e Tetovës apelojnë te qytetarët t’u bashkëngjiten masave të kujdesit dhe parandalimit të cilat i rekomanduan institucionet.
