Maqedoni
Rasti "Zhvatja", filloi shpalosja e dëshmive të Janevës
13.03.2020 15:21
Me shpalosjen e dëshmive materiale, avokatët e ish prokurores speciale, Katica Janeva, filluan mbrojtjen në rastin "Zhvatja"...

Nga video materiali prej emisionit të publikuar në 1TV, shihej se si Janeva dhe prokurorja, Lile Stefanova, i arsyetonin masat e propozuara për të akuzuarit në rastin "Perandoria" më 29 janar 2019.
Mbrojtja prezantoi edhe listën anketuese për të cilën thuhet se nuk ka ndryshime në gjendjen pronësore të saj.
“Është pjesë e emisionit nga 1TV ku mund të shihej se cili ka qenë qëndrimi i Prokurorisë Speciale në drejtim të caktimit të masës së paraburgimit. Masa e paraburgimit gjithmonë është ofruar si alternativë e fundit dhe gjithmonë është pasur parasysh të veprohet siç parasheh Ligji për Procedurë Penale. Masa më e rëndë duhet të zëvendësohet me masë më të lehtë.”,- tha avokati, Delo Kadiev.
Nga Janeva janë konfiskuar gjësende që nuk kanë të bëjnë me periudhën e dyshuar, gjegjësisht një telefon celular që motra e saj ia ka dhënë në shërbim dhe se asgjë komprometuese nuk është nxjerrë nga i njëjti, thonë avokatët.
Mbrojtja dorëzoi edhe dokumentacione për pagesat e kryera në mënyrë të rregullt për shërbimet mjekësore të babait të saj në spitalin privat "Sistina", një pjesë e të cilit ishte përmendur në incizimet e publikuara nga Gazeta italiane "La Verita".
Pasi bëhet fjalë për dëshmi materiale që dalin nga hetimi për rastin "Perandoria", me kërkesë të mbrojtjes,trupi gjykues vendosi të gjitha seancat e radhës, të caktuara deri më 23 mars të zhvillohen pa prezencën e publikut.
Më 23 mars do të dëshmojnë dëshmitarët e propozuar nga Janeva, në mesin e të cilëve edhe ish prokurorë specialë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
