Botë

Virusi Korona në Shqipëri, 33 të prekur, ndalim-qarkullimi deri të dielën

13.03.2020 15:39

Në Shqipëri, numri i të prekurve nga virusi Korona po rritet gjithnjë e më tepër...

Aktualisht janë të infektuar 33 persona, Fieri është qyteti ku janë shënuar 4 raste të reja, duke zgjeruar kështu hartën e të prekurve në 6 qytete.
 
Pozitiv ka rezultuar edhe një mjek nga Durrësi. 
 
“Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetizoluar dhe po hulumtohet më tej.  Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetkarantinuar.”,- deklaroi zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli.
 
E gjithë Shqipëria duket e shkretë pas vendimit të qeverisë për të ndaluar qarkullimin e të gjitha mjeteve private e publike deri të dielën në mesnatë.
 
Edhe dalja e qytetarëve është mjaft e rrallë.
 
Autoritetet qeveritare e shëndetësore kanë përsëritur thirrjen që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, si një masë për ndalimin e përhapjes së virusit Korona.
 
LULJETA NDOKA