Maqedoni

Fushata nën masat e virusit Korona, Pendarovski: Problem dita e zgjedhjeve. Fillimi i negociatave me BE-në, Pendarovski: Presim dritë jeshile më 26 mars

13.03.2020 15:54

Presidenti, Stevo Pendarovski, thekson se fushata zgjedhore mund të realizohet përmes mediave dhe rrjeteve sociale...

Problemi, sipas tij, qëndron tek informimi i qytetarëve që nuk kanë qasje në rrjetet sociale, kryesisht të moshës më të vjetër e zonat rurale dhe në ditën e zgjedhjeve, ku ka fluks të madh të njerëzve.
 
“Principi kryesor i OSBE/ODHIR dhe i institucioneve tjera relevante ndërkombëtare sugjerojnë që qytetarët duhet të jenë të informuar sa duhet për të marrë vendim në ditën e zgjedhjeve. Unë kam rezerva të mëdha për mbajtjen e ditës së zgjedhjeve, nuk jam kompetent për këtë, por në zgjedhjet parlamentare tek ne mesatarisht votojnë 1 milion njerëz, brenda shtetit kemi 3.000 vendvotime, administrata jonë zgjedhore ka 30.000 njerëz. Me sa kam informata unë, asnjëherë nuk janë mbajtur zgjedhje në kushte të këtilla.”,- deklaroi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
 
Para zgjedhjeve vendi pret vendimin e rëndësishëm për marrjen e dritës së gjelbër për anëtarësim në BE. Presidenti thotë se ka informata që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të marrin vendim pozitiv më 26 mars.
 
“Koordinimet në Bruksel për marrjen e datës për fillimin e negociatave praktikisht kanë mbaruar. Më datën 18 të këtij muaji do të mblidhen ambasadorët e vendeve anëtare, ndërsa informatat tona tregojnë që më 26 mars Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin dritë jeshile për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në.”,- u shpreh kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
 
Sa i përket ratifikimit të Protokollit për anëtarësim në NATO, data është caktuar për më 17 mars edhe përkundër situatës kritike me virusin Korona në Spanjë.
 
FITIM KRYEZIU