Maqedoni

Regjistrohen 4 raste të reja me virusin Korona, Dibra dhe Qendra Zhupë shpallen zona të krizës

13.03.2020 16:27

Ka shkuar në 13 numri i të infektuarve me virusin Korona në Maqedoninë e Veriut...

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se katër pacientët e rinj të infektuar janë me fotografi të lehtë klinike.
 
Filipçe theksoi se të gjithë pacientët tek të cilët është konfirmuar virusi janë stabil përveç pacientes nga çifti bashkëshortor nga Dibra, tek të cilët fillimisht është konfirmuar virusi.
 
Asaj i është përkeqësuar gjendja dhe nëse ka nevojë do të kyçet në aparat për ventilim.
 
“Sot erdhën për testim materialet nga Qendra e Shëndetit Publik në Dibër. 10 pacientë kanë treguar shenja për sëmundje respiratore. Epidemiologu lokal ka marrë materialet dhe i ka dërguar për testim, ku 4 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Këta pacientë do të transferohen në Klinikën për Sëmundje Infektive.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Duke pasur parasysh se rastet e reja të virusit janë nga këto zona, Filipçe njoftoi se qeveria do të shpall gjendje krize në Dibër dhe në Qendër të Zhupës.
 
“Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi që të shpallet gjendje krize në një pjesë të territorit, gjegjësisht në komunat Dibër dhe Qendra Zhupë. Në këtë mënyrë kufizohet edhe lëvizja e qytetarëve që jetojnë brenda dhe jashtë tyre.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Filipçe njoftoi se edhe një pacient është i dyshimtë, pasi ka ardhur përmes aeroportit të Shkupit nga Gjermania, por rezultatet e tij do të njoftohen në orët në vijim.
 
ZEKIRJA MEXHITI