Maqedoni
Tetova filloi dezinfektimin, po bëhet pastrimi i hapësirave publike, shkollave e çerdheve. Mësimi në distancë, nxënësve u jepen detyra shtëpie nga mësuesit
13.03.2020 17:44
Komuna e Tetovës ka ndërmarrë një sërë masash kundër virusit Korona...

Komuna e Tetovës ka ndërmarrë një sërë masash kundër virusit Korona, duke filluar me dezinfektimin e hapësirave publike, rrugëve kryesore, institucioneve arsimore dhe çerdheve.
Sipas Sektorit për Arsim në komunë e Tetovës, dezinfektime ka pasur edhe kur ishte paraqitur gripi sezonal dhe në vazhdimësi edhe këto ditë janë dezinfektuar të gjitha shkollat dhe çerdhet në komunën e Tetovës.
“Me paraqitjen e virusit Korona u shtuan masat e higjienës, po ashtu u bë edhe një dezinfektim nëpër shkollat dhe çerdhet e Tetovës. Ndërkohë, do të bëhet edhe një dezinfektim i të gjitha objekteve shkollore para fillimit apo vazhdimit të gjysmëvjetorit të dytë nëpër shkollat tona.”,- tha Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim - komuna e Tetovës.
Në grupe të caktuara nxënësish dhe mësimdhënësish ka vazhduar mësimi në distancë, ku mësimdhënësit u japin detyra shtëpie dhe literaturë shtesë më qëllim që të mbahet kondicioni i nxënësve për mësim-nxënie.
“Prej ditës së mërkurë ky proces vazhdon, ku detyra të caktuara nga lëndë të caktuara u jepen nxënësve sikurse dhe literaturë shtesë për mësim, me qëllim që të mbahet kondicioni i mësim-nxënies në institucionet arsimore.”,- theksoi Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim - komuna e Tetovës.
Edhe në komunën e Tetovës po respektohen në masë të madhe rekomandimet që ka dhënë Ministra e Shëndetësi dhe Qeveria.
Restorantet dhe kafenetë prej orës 18 janë të mbyllura. Është ulur ndjeshëm edhe numri i qytetarëve që lëvizin nëpër rrugët e qytetit, sidomos pas orës 18.
VISAR SADIKI
