Maqedoni

Gjendja me Covid-19, stabile. Pendarovski: Qytetarët të respektojnë masat. Të hënën mblidhet Këshilli i Sigurimit

13.03.2020 17:58

Kreu i Republikës, Stevo Pendarovski, fton qytetarët që të respektojnë masat e Qeverisë...

Kreu i Republikës, Stevo Pendarovski, fton qytetarët që të respektojnë masat e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, i njohur si virusi Korona.
 
Sipas presidentit, institucionet kanë vepruar në kohë dhe po zbatojnë me sukses rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetit. Gjithsesi, rreziku nuk ka kaluar ende, por nuk ka as hapësirë për panik.
 
“Vlerësimi i tyre është se vendi ynë po përballet më së miri sa i takon zbatimit të shpejtë dhe efikas të rekomandimeve të OBSh-së. Deri tani nuk kemi një kualifikim tjetër. Kuptohet se kjo punë nuk ka përfunduar. Por, deri tani, me masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera me kompetencë, vetëm është penguar përhapja e epidemisë, e cila, për fat të keq, po përhapet në vende më të pasura dhe më të organizuara se vendi ynë.”,- deklaroi presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
 
Edhe Qendra për Menaxhim me Kriza ia ka konfirmuar presidentit efektin pozitiv të masave të Qeverisë. Veç kësaj, Pendarovski njoftoi se vendi ka rezerva të mjaftueshme energjetike dhe rezerva ushqimore.
 
Paralajmëroi mbledhje të Këshillit të Sigurimit më 16 mars, për të shqyrtuar situatën dhe mundësitë alternative për veprim, si mundësia për shpalljen e gjendjes së krizës në pjesë të caktuara të vendit apo edhe në nivel republike. Konsideron se vendi është larg mundësisë për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme.   
 
“Versioni i tretë është që të marrim vendim për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për të cilin mund të them se jemi shumë larg. Sipas nenit 125 të Kushtetutës, një nen i cili kurrë nuk është aktivizuar, pasi ka pasur vlerësim se nuk ka qenë i domosdoshëm dhe i cili, nëse duhet, i mbulon edhe këto situata me sëmundje ngjitëse, përkatësisht nga rrezikimi i shëndetit të qytetarëve në përmasa më të mëdha. Në seancën e Këshillit të Sigurimit, ditën e hënë, do t’i shqyrtojmë të gjitha opsionet.”,- u shpreh presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
 
Pendarovski ftoi mediat që të informojnë qytetarët me informata nga burime zyrtare dhe të mos krijojnë panik, ndërkaq ftoi qytetarët që të mos bien pre e informatave të rreme dhe të respektojnë rekomandimet e Qeverisë.
 
SHPËTIM NUREDINI