Maqedoni

"Mësonjëtorja televizive", nga java e ardhshme në Servisin Publik

13.03.2020 18:28

Javën e ardhshme në TVM1, në TVM2 dhe në Kanalin Parlamentar, nis transmetimi i programeve edukative - arsimore...

Javën e ardhshme në TVM1, në TVM2 dhe në Kanalin Parlamentar, nis transmetimi i programeve edukative - arsimore për fëmijët e çerdheve dhe ato të arsimit fillor.
 
Mësonjëtorja televizive do të ketë si qëllim që fëmijët të vazhdojnë të edukohen nga shtëpia edhe në rrethana të këtilla të jashtëzakonshme. Por, megjithatë, këto emisione  nuk janë kompensim për ditët e humbura të mësimit për shkak të virusit Korona, sqaron ministri i arsimit, Arbër Ademi. 
 
“Opinioni do të informohet për hapat konkrete, por ajo çka do të punohet gjatë këtyre ditëve janë: programi edukativo-arsimor i cili do të emetohet, mësimdhënësit të cilët do të angazhohen dhe gjithashtu me kohë mbarë opinioni do të njoftohet me orarin e emitimit të këtyre programeve në mënyrë që fëmijët tanë, nxënësit tanë të shndërrohen të mbindërtohen në aspektin edukativo-arsimor edhe në këtë periudhë kur ata nuk i frekuentojnë çerdhet dhe shkollat fillore.”,- theksoi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Ai njëherit u apeloi  mësuesve të paraqiten vullnetarisht për t’u bërë pjesë e programit edukativ. 
 
“Apeloj deri tek të gjithë mësimdhënësit, deri te gjithë kuadri arsimor që vullnetarisht të paraqiten, në mënyrë që të emitojmë këtë program edukativo-arsimor për fëmijët tanë, gjatë kësaj periudhe derisa nuk i frekuentojnë shkollat-çerdhet.”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Programet edukativo-arsimore do të mbështeten edhe nga Byroja për Zhvillim të Arsimit, Ministria e Punës Sociale dhe UNICEF-i. 
 
“Në këtë periudhë të gjithë duhet të jemi të bashkuar. Para së gjithash, vetëdijen ta kemi në rend të parë, sepse ne nuk jemi në pushim, por duhet të punojmë. Edhe fëmijët, edhe prindërit, edhe edukatoret duhet të kenë përgjegjësi për këtë gjë.”,- theksoi zëvendësministri i punës dhe politikës sociale, Gjonul Bajraktar.
 
“Prej të hënës fillon programi i hapur që do të quhet "Mësonjëtorja televizive", në gjuhën maqedonase, shqipe dhe gjuhët tjera që fliten në RMV. Shpresoj se do t’i japim kuptim kohës së lirë që e kanë fëmijët.”,- u Pece Talevski nga Produksioni “Oko”.
 
Deri në fund të javës, Servisi Publik pritet të bëjë të ditura oraret e transmetimit. Po ashtu edhe në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit janë publikuar linqet të cilat mundësojnë shfrytëzimin e platformave digjitale, aplikacioneve dhe përmbajtjeve të cilat mund të jenë të dobishme për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, të cilat mund të shfrytëzohen nëpërmjet telefonit apo kompjuterit.
 
GYLTENE SINANI