Maqedoni
Paniku nga virusi Korona, psikologët: Nuk ka nevojë, mësoni si të ruheni
13.03.2020 18:56
Përhapja e virusit Korona sigurisht që ka ngjallur frikë tek qytetarët...

Ata, për shkak të frikës, por dhe masave qeveritare, kanë reduktuar frekuentimin e vendeve publike, kafenetë, restorantet e qendrat tregtare.
Por, një dukuri e panevojshme po vërehet këto ditë. Është shtuar numri i atyre që blejnë më shumë furnizime ushqimore. Psikologu, Migjen Amzai, thotë se nuk ka nevojë për panik, por për më shumë kujdes.
“Duhet të ketë një dallim mes frikës dhe panikut. Frika duhet të jetë racionale. Deri në njëfarë shkalle duhet të kemi frikë, frikë në sensin që të dimë se si të ruhemi. Këtë që e shohim sot, shohim edhe panik më shumë te njerëzit, sidomos që u janë vërsulur marketeve, mendoj që është e panevojshme.”,- tha psikologu, Migjen Amzai.
Ai thotë se qytetarët në këtë rast duhet të jenë më të përgjegjshëm.
“Mendo për atë plakun që e ke në shtëpi, mendo për atë fëmijën që e ke në shtëpi. Është çështje etike, është çështje morali, duhet të mendoni për tjetrin, kështu që rrini në shtëpi, njihni fëmijët tuaj, pasi që është një mundësi që të u ofroni kohë më shumë fëmijëve. Mendoj që është një moment që duhet të sakrifikojmë dy javë për të shpëtuar.’’,- u shpreh psikologu, Migjen Amzai.
Edhe autoritetet bëjnë thirrje për respektimin e përpiktë të të gjitha masave kundër virusit Korona.
ARMEND MURSELI
