Futboll

Shqipëria vazhdon përgatitjet për Danimarkën

08.10.2014 18:33

25 futbollistë kuqezi zhvilluan paraditen e kësaj të mërkure seancën e radhës stërvitore nën urdhrat e Gianni De Biasit...

25 futbollistë kuqezi zhvilluan paraditen e kësaj të mërkure seancën e radhës stërvitore nën urdhrat e Gianni De Biasit, që i kushtoi vëmendje të veçantë anës taktike, duke dhënë indiciet e para për formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Danimarkës në Elbasan Arena më 11 tetor. Odise Roshi dhe Shkëlzen Gashi ishin mungesat e vetme nga lista e shpallur nga trajneri italian për arsye dëmtimi.

Futbollisti i Bazelit, nuk ishte grumbulluar për sfidën e fundjavës së kaluar në kampionatit zvicëran dhe sipas burimeve pranë kombëtares ka humbur dy takimet e radhës me Danimarkën dhe Serbinë, ndërsa për Roshin ekzistojnë shpresat që të vihet nën urdhrat e De Biasit gjatë ditëve të arshshme.

Lorik Cana ishte i vetmi futbollist që u stërvit fillimisht i diferencuar, për shkak të mbingarkesës fizike, por gjithsesi mbrojtësi i Lacios nuk e vë në dyshim aktivizimin me danezët, ndaj të cilëve De Biasi pritet të bëjë pak ndryshime në rreshtim, të kushtëzuara këto nga mungesat dhe nga rikthimi në skuadër i Valdet Ramës apo i Alban Mehës.

Tekniku Italian, sipas asaj që shihet në stërvitjet e deritanishme, kundër skandinavëve pritet të luaj me pesë futbollist në mesfushë dhe ky rreshtim i De Biasit synon të neutralizojë depërtimet e danezëve nga krahët, nga ku mund të vijë rreziku më i madh për formacionin kuqezi.

Gjithsesi, deri pak orë para ndeshjes tekniku italian mund të bëjë ndonjë ndryshim, në varësi të formës që do të shfaqin lojtarët gjatë seancave stërvitore.