Botë

Virusi Korona, vazhdon përhapja e virusit në botë

14.03.2020 19:14

Në dy shtetet fqinje në Greqi dhe Serbi është rritur numri i të prekurve nga virusi korona....

Në Greqi është shënuar viktima e tretë nga virusi, ndërsa numri I të prekurve arrinë në 190. Në Serbi janë regjistruar 6 raste të reja duke e çuar në 41 numrin e të prekurve me virusin korona.
 
Në Spanjë, brenda një dite janë regjistruar 1,500 raste me koronavirusin e ri, ndërsa numri i përgjithshëm i personave të infektuar është mbi 15 ,000. Pas Italisë, Spanja është vendi më i prekur në Evropë me Covid-19. Në Spanjë, janë raportuar 136 vdekje nga koronavirusi.
 
Në Iran, edhe 97 persona të infektuar me koronavirus kanë vdekur, duke e çuar numrin total të vdekjeve në 611, raportoi media shtetërore. Duke cituar zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, televizioni shtetëror iranian, tha se në vend janë regjistruar 12,729 raste me koronavirus.
 
Qeveria Çeke ka urdhëruar që të gjitha dyqanet të mbyllen për dhjetë ditë, duke nisur nga 14 marsi. Këto masa vijnë pasi kryeministri çek, Andrej Babis më herët shpalli gjendje të jashtëzakonshme, duke mbyllur institucionet arsimore. Zyrtarët çekë po ashtu kanë ndaluar shtetasit e huaj që të hyjnë në Çeki. Shtetet fqinje, Sllovakia dhe Polonia po ashtu kanë mbyllur kufijtë për udhëtarët e huaj. Në Republikën Çeke janë konfirmuar të paktën 150 raste me koronavirus dhe deri më tani asnjë vdekje nuk është raportuar.
 
Edhe Rusia do të mbyllë kufijtë tokësorë me Poloninë dhe Norvegjinë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Vendimi do të hyjë në fuqi në mesnatën e së shtunës dhe do t’u ndalohet hyrja të gjithë shtetasve të huaj, që vijnë nga këto dy vende.Këtë e bëri të ditur përmes një deklarate për media, kryeministri rus, Mikhail Mishustin.