Maqedoni

Rasti "Monstra", Velkovski: Këta persona nuk ishin tek liqeni

16.03.2020 14:42

Dëshmitari i radhës në rastin "Monstra", peshkatari Zoran Velkovski....

Dëshmitari i radhës në rastin "Monstra", peshkatari Zoran Velkovski, para trupit gjykues ka deklaruar se natën e 12 prillit ka qenë për peshkim tek liqeni i Smillkovës me fqinjët e tij. Duke iu referuar të akuzuarve për këtë rast, Vlekovski tha se asnjërin prej atyre që janë në gjykim nuk i ka parë në vendin e fatkeqësisë dhe se të njëjtit po i sheh për herë të parë.
 
“Unë nuk i frikësohem askujt dhe nuk kam për qëllim të fsheh diçka, por vetëm ta them të vërtetën. Këta djem nuk ishin në vendin e ngjarjes. Ishin 2 ose 3 persona të tjerë, por ishte shumë errësirë nuk mund t’i përshkruaj, megjithatë nëse i shoh tani ndoshta mund t’i kujtoj”.
 
Velkovski deklaroi se natën e 12 prillit, të shtrirë e kanë parë vetëm një person dhe një veturë në largësi prej rreth 50 metra dhe se për këtë e kanë lajmëruar menjëherë policinë.
 
"Pamë veturë. Ishte e errët. Ne komentuam se janë peshkatarë, por kur e pamë trupin na kapi frika dhe u kthyem në rrugën e vjetër deri tek rruga e Lubotenit. Aty u ndalëm dhe kërkuam në 192, e paraqitëm rastin. Policia na tha të qëndrojmë aty. Në vendngjarje erdhi një polic me veshje civile, më duket se me automobil Opel Astra. Ia treguam vendin, kur u kthye na tha të mos lëvizim dhe të qëndrojmë aty."
 
Dëshmitari gjithashtu tha se një ditë para vrasjes, gjegjësisht më 11 prill, në liqenin e Smillkovës kanë vërejtur veturë ngjyrë hiri të tipit BMV, të cilët i kanë kërkuar grimca buke për peshkim. Duke pasur parasysh se të njëjtit nuk posedonin pajisje për peshkim dhe na ishin të dyshimtë, vendosëm të largohemi, tha dëshmitari.
 
Ndryshe, dëshmitari, Ilija Smilevski, nga MPB, i cili në vitin 2012 ka qenë shef për mbrojtje nga terrorizmi, kërkoi që për dëshminë e tij të merret leje nga ministri i MPB-së. Gjykimi për rastin "Monstra" është e paraparë të vazhdojë më 24 mars.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI