Maqedoni
“TV Klasa’’ në TVM 2, filluan orët e para. Çdo ditë pune në orën 12:30
16.03.2020 15:56
Në tre kanalet televizive të Servisit Publik, filloi emisioni “TV Klasa”...

Në tre kanalet televizive të Servisit Publik, filloi emisioni “TV Klasa”, një emision special dedikuar fëmijëve që do të sjellë shkollën në shtëpitë tuaja në të gjitha ditët e javës në të cilat fëmijët janë të detyruar të mbyllen në shtëpi.
Njësia e parë mësimore iu kushtua higjienës personale, pra si të mbrojmë shëndetin tonë edhe të të tjerëve rreth nesh, e sigurisht si të mbrohemi edhe nga virusi Korona.
“As peshqiri, as krehri jo dy vetë… apo më shumë, vetëm një personale.”,- tha Bujar Saiti.
“Edhe mjetet higjienike po ashtu personale, të cilat fëmijët i përdorin në përditshmëri, edhe dhe t’i përdorin vetëm ata, se këto janë individuale.”,- theksoi mësuesja - drejtoreshë në Sh. F. “Liria”, Teuta Idrizi.
“Këto ditë të fundit ne shumë kemi dëgjuar fjalën higjienë, higjienë, higjienë, saqë vajza ime Lira që i ka 5 vjet, më tha mami çfarë është kjo higjienë, higjienë... Me të vërtetë të gjithë pyesin askush nuk kupton, me të vërtetë çfarë është higjiena, po fjala higjienë është një fjalë greke që do thotë shëndet.”,- tha mësuesja, Arta Sadiku-Akteshi.
“TV Klasa” do t’ju ndihmojë fëmijëve jo vetëm të mos mërziten gjatë kohës që rrinë në shtëpi për shkak të masave anti COVID-19, por edhe të mos shkëputen tërësisht nga mësimi.
“Sigurisht se ne nuk mund të lejojmë që fëmijët tanë të jenë pasivë në këtë periudhë për të mos thënë ta çojnë kohën kot, por përkundrazi. Kemi vendosur së bashku me partnerët tanë dhe institucionet tjera relevante që gjatë kësaj kohe, përmes Radio Televizionit të Maqedonisë, të ofrojmë një program edukativo-arsimor, i cili do t’i mbajë nxënësit tanë aktivë dhe se kjo do të ndikojë në mbindërtimin e tyre arsimor.”,- theksoi deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Projekti “TV Klasa” realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Byronë për Zhvillimin e Arsimit, UNICEF-in dhe Organizatën Joqeveritare OHO.
E sigurisht që TVM2 ka edhe emisione të tjera për fëmijë. Prej orës 10:15 deri në orën 12, çdo ditë do të ndiqni përralla për fëmijë, filmin vizatimor “Dora”, emisionin “Të mësojmë së bashku” dhe “5+ nikoqirët”, e si zakonisht çdo ditë nga një emision të ri në orën 18.
GYLTENE SINANI
