Kumanovë, respektohen rreptësisht masat mbrojtëse

16.03.2020 16:00

Qytetarët e Kumanovës me rrethinë po tregojnë kulturë...

Qytetarët e Kumanovës me rrethinë po tregojnë kulturë të lartë në respektimin e rekomandimeve të Qeverisë për mbrojtje nga virusi Korona.

Të anketuarit nga TVM2 thonë se po i respektojnë të gjitha rekomandimet, por njëkohësisht apelojnë që mos të shkaktohet panik.

“Do të ishte më mirë masat të jenë edhe pak më rigoroze, që si qytetarë të jemi më të kujdesshëm e mos ta marrim për shaka këtë punë, sikur e llogaritën në Itali nga pakujdesia, dhe ja e shihni çfarë ndodhi, numri i të vdekurve çdo ditë e më shumë rritet, pra edhe ne nëse nuk jemi të kujdesshëm mund edhe ne të na ndodhë më e keqja”,- u shpreh një qytetar.

“Gjithçka sipas rregullave po shkon, vetëm kur kemi nevojë dalim jashtë shtëpisë, gjithë ditë mbyllur po rrimë, duhet të kemi kujdes.”,- theksoi një qytetar.

“Jemi duke respektuar rregullat, në shtëpi po rrimë. Nuk kemi frikë, çka ka thënë perëndia ajo ka me ndodhë, jam besimtar edhe fëmijëve në shtëpi u them mos të frikësohen, pasi është kalimtare, por që duhet të kemi kujdes, duhet përballur edhe me të mirën edhe me të keqën”,- thonë për TVM2 qytetarët e Kumanovës.

Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim ka ndërmarrë masat dhe aktivitetet e domosdoshme në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

“Kemi vënë në funksion dy linja telefonike për asistim dhe ndihmë qytetarëve të sëmurë dhe të moshuar për t’i furnizuar me artikuj apo barna të nevojshëm, të cilët personat nga komuna në bashkëpunim me Kryqin e Kuq ua dërgojnë në shtëpi. Gjithashtu N. P. “Pastrim dhe Gjelbërim” në kontinuitet do të bëjë larjen e bulevardeve dhe rrugëve në qytet dhe lagjet e saj si dhe dezinfektimin e kontejnerëve për plehra.”,- tha ndër të tjera kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Marketet dhe barnatoret po i furnizojnë qytetarët me artikuj të nevojshëm ushqimor e sanitaro-higjienik si dhe me barna të domosdoshëm. (Fatlum Aqifi, TVM2)