Botë

Virusi Korona, 51 të infektuar në Shqipëri, mes tyre staf mjekësor

16.03.2020 16:43

51 persona rezultojnë të prekur nga virusi Korona në Shqipëri...

51 persona rezultojnë të prekur nga virusi Korona në Shqipëri, ku u regjistruan 4 raste të reja brenda 24 orësh. Zëvendësministrja e shëndetësisë,  Mira Rakacolli, tha se Kovid-19 vijon të mbetet brenda një perimetri të caktuar, por numri i të prekurve është rritur, përfshi edhe rastet e personelit mjekësor të infektuar.
 
“Telefononi në numrin 127! Jepuni informacion të hollësishëm stafeve mjekësore! Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli shëndetësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj. Sot është detyrim që të mbrojmë personelin shëndetësor. Ju lutem qytetarë: Shmangni vajtjet direkte në spitale. Qëndroni në shtëpi! Respektoni rregullat e reja!Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë!”,- deklaroi zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli.
 
Nisur nga këto ritme, qeveria ka marrë masa të tjera ekstreme, duke urdhëruar edhe ndalimin e lëvizjes së këmbësorëve, pas orës 18.00. Shkelësit do të gjobiten dhe po ashtu gjobë është parashikuar edhe për ata që qëndrojnë në parqe publike. Madje kryeministri Rama paralajmëroi se shumë shpejt do të ndalojë daljen nga shtëpia të të moshuarve. 
 
Presidenti, Ilir Meta, paralajmëroi një kolaps ekonomik dhe kërkoi që të merren masa për përballimin e pasojave serioze në ekonominë kombëtare. 
 
Edhe kreu demokrat, Lulzim Basha, kërkoi marrjen e masave emergjente, pasi situata ekonomike pritet të jetë mjaft e rëndë. Autoritetet shtetërore paralajmërojnë se në këtë javë do të jetë piku i rasteve, që do të rezultojnë pozitive me virusin Covid-19.
 
LULJETA NDOKA