Gostivar, ekip mobil mjekësh për vizita nëpër shtëpi

16.03.2020 17:15

Komuna e Gostivarit formoi ekip mobil me qëllim të sigurisë më të madhe kolektive....

Komuna e Gostivarit formoi ekip mobil me qëllim të sigurisë më të madhe kolektive dhe prevenimit nga virusi COVID-19 (virusi Korona),  i cili do t’i vizitojë shtëpitë e qytetarëve në moshë të shtyrë për tua siguruar ndihmën e duhur për furnizim me produkte ushqimore dhe higjienike si dhe barna.

Shtabi i krizës në Gostivar që drejtohet nga kreu i kësaj komune, përfshin edhe kryetarët e komunave të Vrapçishtit dhe Bogovinës me të cilët bëhen koordinime të përditshme.

Me qëllim të respektimit të rekomandimeve dhe masave për parandalim të përhapjes së virusit Korona, komuna e Gostivarit u apelon qytetarëve që të shkojnë në administratën komunale vetëm për lëndë të cilat janë urgjente dhe nuk kanë mundësi të prolongohen.

Të gjitha lëndët tjera do të punohen pas marrjes së rekomandimeve të reja nga ana e Qeverisë. Por, edhe pse rekomandimet janë që qytetarët të mos dalin pa nevojë, sërish në rrugët e Gostivarit ka më shumë lëvizje krahasuar me fundjavën. Gjithsesi shumica dalin për t’u furnizuar me ilaçe apo prodhime ushqimore dhe higjienike.

Në Gostivar nuk është shënuar asnjë rast i infektimit me virusin Korona, në vetizolim janë sipas një vendimi 3 persona, 15 qytetarëve të tjerë të kthyer nga jashtë u është rekomanduar që të qëndrojnë në vetizolim konform rekomandimeve. (Lulzim Haziri, TVM2)