Maqedoni

Virusi Korona, partitë politike kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve

16.03.2020 17:15

Pjesa më e madhe e kryetarëve të partive politike kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve...

Pjesa më e madhe e kryetarëve të partive politike kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve si pasojë e përhapjes së virusit Korona. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është shprehur që zgjedhjet të mbahen pasi të mposhtet virusi.
 
“Zgjedhjet janë çështja e fundit në agjendën e prioriteteve tona, për arsye se të gjitha kapacitetet tona njerëzore, intelektuale, institucionale i kemi vënë në shërbim të ngadhënjimit në betejën e përbashkët kundër virusit. Tani, ne na duhet fitore ndaj virusit e jo fitore në zgjedhje”,- thuhet në shkresën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.    
 
Edhe Alternativa e Afrim Gashit me vlerësime të ngjashme.
 
“Zgjedhjet e 12 prillit duhet të shtyhen për një datë tjetër, kur nuk do të kemi presionin e pandemisë që e ka kapluar botën. Kjo duhet dakorduar nga të gjitha partitë politike në vend.”,- thuhet në kumtesën e Alternativës.
 
Partneri i Koalicionit, Zijadin Sela, ftoi qytetarët pa panik të respektojnë rekomandimet e institucioneve, për të mposhtur luftën e përbashkët kundrejt virusit.
Koalicioni Lëvizja Besa – LSDM i bashkëngjiten thirrjes për prolongim të zgjedhjeve. Kreu i Besës, Bilall Kasami, ka shkruar se shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm se çdo kalkulim politik. 
 
Në të njëjtën vijë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
“Në rrethana të tilla, më se e qartë është se kushtet nuk lejojnë realizimin normal të zgjedhjeve. Në vend të organizimit të zgjedhjeve, tani është koha që çdo burim njerëzor, institucional dhe politik të vihet në funksion të mbrojtjes së qytetarëve dhe luftën me virusin. Nuk është koha e oponentëve politikë, kemi vetëm një kundërshtarë, virusin Korona.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Ndërkaq, kreu i VMRO-DPMNE-së kërkoi shpalljen e gjendjes së krizës dhe ndërmarrjen e masave për sanimin e situatës.
 
“Shpallja e gjendjes së krizës, shpërndarja falas e maskave, mbështetja e biznesit dhe të tjerave ende nuk janë analizuar. Kjo nuk është betejë për famë ose çfarëdo pikësh, andaj ftoj qeverinë që t’i pranojnë dhe zbatojnë këto masa, pasi do ta kenë edhe mbështetjen tonë.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Opozita maqedonase kërkon edhe përpilimin e masave të ekonomisë e cila shënon humbje prej miliona euro në bazë ditore. Pushteti thotë se masat do të bëhen publike së shpejti. Ftojnë qytetarët të mos bien pre e dezinformatave të cilat shkaktojnë panik dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve.
 
MERAL ISMAILI