Virusi Korona, Filipçe: Asnjë rast i ri i diagnostikuar, testohen 7 persona

16.03.2020 17:28

Nuk ka të diagnostikuar të rinj me virusin Korona në vend....

Nuk ka të diagnostikuar të rinj me virusin Korona në vend.  Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se pacientja e parë që ishte prekur nga virusi Korona është lëshuar në kurim shtëpiak.

Sa i përket gjendjes së 18 pacientëve tjerë tha se të gjithë janë në gjendje stabile të lehtë shëndetësore. Për momentin po testohen 7 persona.

“Në këtë moment po testohen shtatë pacientë. Tre janë nga Dibra të cilët gjatë kontrollit të mbrëmshëm kanë shfaqur simptoma të gripit. Dy pacientë në Shtëpinë e Shëndetit Publik në Shtip dhe dy në Klinikën Infektive - Shkup. Këta katër të fundit kanë udhëtuar në Austri, përkatësisht Gjermani.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe

Situata në Dibër është stabile. Po merren masa shtesë dhe do të kontrollohet një masë më e gjerë e njerëzve atje, tha Filipçe.

“Vlerësimet e infektologëve janë në drejtim të analizave shtesë, kontrolleve. Eventualisht indikacione për testime të reja të më shumë personave. Një formë e skriningut, në pajtueshmëri me përvojat botërore, testime edhe për personat të cilët nuk jemi të sigurt se mund të jenë të sëmurë. Pra, e zgjerojmë numrin e personave të cilët duhet të testohen.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkohë, asnjë person që ka pasur kontakt deri më tani me drejtoreshën e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës deri më tani nuk ka shfaqur simptoma të sëmundjes.

I pyetur për atë se a mendon qeveria për ngrirje të çmimeve, Filipçe tha se ekipi ekonomik po punon në masa të reja të cilat do të prezantohen në ditët në vazhdim. (Ersan Pajaziti, TVM2)