Maqedoni

Qytetarët: Respektojmë masat, nuk dalim pa nevojë

16.03.2020 17:44

Qytetarët e Shkupit i respektojnë masat e marra nga qeveria për të shmangur rrezikun e përhapjes së virusit Korona...

Të anketuar nga TVM thonë se dalin nga shtëpia vetëm për t’i kryer obligimet personale, me  dorëza dhe maska si masë mbrojtëse.
 
Në të gjithë vendin janë mbyllur qendrat tregtare, punojnë vetëm marketet për ushqim dhe barnatoret, si dhe shitoret jashtë këtyre qendrave.
 
Vendimi për të mbyllur kafenetë, restorantet e bastoret ka zbrazur rrugët e kjo vërehet në trafik.
 
“Më shumë qëndroj në shtëpi dhe nuk komunikoj shumë me njerëz.”,- tha një qytetar.
 
“Kuptohet që i respektoj masat, po tani po shkoj në punë, dikush duhet të punojë patjetër.”,- u shpreh një qytetar.  
 
“Kam dalë për të marrë 8 ilaçe, por po më shëtisin nga një barnatore në tjetrën, sepse nuk i kanë.”,- theksoi një qytetar. 
 
“I respektojmë masat e qeverisë, por kam dalë për të shkuar në mjek, sepse kam termin për sot.”,- u shpreh një qytetar.
  
“I respektojmë masat edhe atë që thotë ministri i shëndetësisë. Po, kam dal, kisha punë deri në bankë.”,- tha një qytetar. 
 
Të gjitha bankat në vend punojnë, por apelojnë që të shfrytëzohen shërbimet elektronike.
 
Ndërkohë, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup, në pajtim me situatën e re të krijuar me virusin Korona, derisa të vlejnë rekomandimet dhe ndalesat e Qeverisë nuk do t’i shkyçin shfrytëzuesit e shërbimeve të ndërmarrjes të cilët kanë borxhe të papaguara.
 
REJHANE BUSHI METAJ