Maqedoni

Virusi Korona, pritet miratimi i masave ekonomike

16.03.2020 18:00

Qeveria në një seancë të jashtëzakonshme po diskuton masat ekonomike për ndihmë të komunitetit të biznesit...

Qeveria në një seancë të jashtëzakonshme po diskuton masat ekonomike për ndihmë të komunitetit të biznesit për shkak të situatës me virusin Korona, por nuk jepen hollësi se si do t’i ndihmojë shteti bizneset. 
 
“Ekipi ekonomik punon në një pako të tërë masash dhe ato do të prezantohen nesër ose gjatë ditës në vijim.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Për shkak të situatës, edhe Banka Popullore vendosi të ulë normën bazë të interesit, në nivelin prej 1.75 për qind. Aktualisht, sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe likuid, njoftojnë nga Banka Popullore.
 
“Kjo është ulja e dytë e normës së interesit këtë vit, pas rënies në janar, kur në kushte të rezervave të larta devizore dhe lëvizjeve të ulëta të inflacionit, si dhe mes rreziqeve aktuale globale, përfshirë edhe përhapjen e infeksionit të virusit Covid-19. Theksojmë se për momentin qarkullimet janë të qëndrueshme. Niveli i rezervave devizore është komod dhe plotësisht i përshtatshëm për të reaguar siç duhet, nëse vjen deri te realizimi/materializimi më i madh i rreziqeve.”,- thuhet nga BPRMV.
 
EVN, ndërkohë, ka mbyllur Zyrat e pritjes dhe Info qendrat derisa të jenë në fuqi masat e jashtëzakonshme.
 
Shfrytëzuesit në këtë periudhë do të duhet të përdorin shërbimet online të EVN-së dhe në rast të emergjencës, telefonat për kontakt.
 
Të paktën një muaj nuk do të lexohen as orëmatësit e shfrytëzuesit do të marrin fatura paushallë.
 
Gjatë kësaj periudhe nuk do bëhen lidhje të reja por as edhe nuk do të shkyçen klientët që nuk kanë paguar faturat.
 
NAIM RAMADANI