Botë
Virusi Korona, rritet numri i të infektuarve në Kosovë. Shkon në 55 numri i të infektuarve, Serbia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme
16.03.2020 19:05
Në Kosovë është rritur numri i personave të infektuar me virusin Korona...

Shumica nga personat janë të ardhur nga Italia. Edhe pse pacientët janë në gjendje stabile, autoritetet apelojnë të reduktohen daljet vetëm në rastet emergjente.
Kosova ka mbyllur edhe aeroportin e Prishtinës, duke pezulluar të gjitha fluturimet.
“Bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19. Të katër rastet janë nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, më datë 13.03.2020. E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë. Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet, veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.
Serbia ndërkohë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi numri i të infektuarve u rrit edhe me shtatë të tjerë, duke shkuar në 55. Si masë për të luftuar virusin Korona, Serbia ka filluar atë që presidenti, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar si "betejë për të moshuarit".
“Nga e marta nuk do të ketë shkolla, kopshte, as fakultete , të gjitha do të mbyllen. Të gjitha hapësirat do të dezinfektohen. Nga e marta nuk do të ketë as sport, as palestër. Pushteti lokal do të kufizojë punën e restoranteve, kafeneve, mbyllet jeta, për të ruajtur jetën e prindërve tanë dhe të moshuarve.”,- deklaroi presidenti i Serbisë, Akesandar Vuçiç.
Serbia ka mbyllur kufijtë e Serbisë për të gjithë shtetasit e huaj, përveç për shtetasit serbë që kthehen nga jashtë, si dhe diplomatët dhe shtetasit e huaj që janë me leje qëndrimi në Serbi.
VLORA LATIFI TOPOJANI
