Botë

Virusi Korona, më shumë të infektuar në botë se në Kinë

16.03.2020 19:24

Ndonëse ishte Kina vendi ku ndodhi shpërthimi fillestar i Covid-19...

Ndonëse ishte Kina vendi ku ndodhi shpërthimi fillestar i Covid-19, shifrat tregojnë se tashmë virusi i ri po shënon më shumë të infektuar në gjithë pjesën tjetër të botës, sesa në Kinë.

Saktësisht numërohen 87,000 raste jashtë Kinës dhe 80,860 të infektuar në Kinë. Numri i viktimave në Iran ka arritur në 853, 129 vdekje vetëm në 24-orët e fundit, si dhe numërohen mbi 14.991 persona të infektuar.

Katër qytete në Katalonjë të Spanjës u izoluan të enjten, një risi kjo për vendin. Franca, është një nga shtetet më të fundit që njoftoi mbylljen e të gjitha shkollave e universiteteve.

Presidenti, Emmanuel Macron, përshkroi epideminë në Francë si krizën më serioze të shëndetit në një shekull.

Në SHBA sportet janë pezulluar dhe performancat në Broadway janë anuluar për një muaj. Vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e vaksinës.

Shkencëtarët në të gjithë botën janë angazhuar për këtë qëllim. Në SHBA do fillojë testimi i parë i një vaksine të re në 45 vullnetarë të shëndetshëm që do të bëjnë injeksionin në institutin kërkimor “Kaiser Permanente” në Seattle.

Ekspertët thonë se do të duhet akoma shumë muaj për të ditur nëse kjo vaksinë, apo dhe të tjerat për të cilat po punohet gjithashtu intensivisht, do të funksionojë. Kompania e bioteknologjisë e cila është dhe krijuesja e vaksinës, “Moderna Therapeutics”, thotë se vaksina është krijuar mbi bazën e një procesi të njohur e të testuar, që përdor teknologjinë para-ekzistuese.

“Kjo është një garë kundër virusit dhe jo kundër njëri-tjetrit; të gjithë po mundohemi për të mirën e njerëzimit”,- thanë shkencëtarët amerikanë. Bursat në të gjithë botën vazhdojnë ndërkohë të shënojnë humbje. 

FITIM KRYEZIU