Maqedoni
Ministri dhe përfaqësuesit e super-marketeve: Në depo ka mjaftueshëm rezerva të produkteve
17.03.2020 14:19
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, si dhe përfaqësuesit e supermarketeve dhe distributorëve...

Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, si dhe përfaqësuesit e supermarketeve dhe distributorëve thonë se në depot ka mjaftueshëm rezerva të produkteve ushqimore dhe higjienike, prandaj nuk ka nevojë që qytetarët të krijojnë panik, duke blerë produkte rezervë. Po ashtu ata sqarojnë se furnizimi me mallra do të vazhdojë edhe gjatë periudhës së ardhshme.
“Situata është nën kontroll, nuk ka absolutisht vend për panik për blerje të shtuara. Stoqet tona janë në nivel të normales, kjo do të thotë që ka prodhime për 30-45 ditë.”,- tha Ljupço Vasovski nga “Tineks”.
“Prej dje korridori dhe rrjedha e mallrave është pa problem: mendojmë se ky kontinuitet i furnizimit do të vazhdojë. Ne në depot tona kemi stoqe për një afat njëmujor. Mirëpo kemi rrjedhë në kontinuitet të produkteve,”,- u shpreh Xhemail Dauti nga “Dauti Komerc”.
Bekteshi: Me vendim të qeverisë ndalohet rritja e çmimeve
Ministri Bekteshi njëherit i informoi përfaqësuesit e marketeve me vendimin e qeverisë për ndalesën e rritjes së çmimeve, duke shtuar se do të ketë edhe kontrolle të shtuara.
“Sa i përket ndalesës së rritjes së çmimeve së bashku me Inspektoratin e Tregut do të ndjekim situatën, do t’i rrisim kontrollet edhe nëpër barnatoret, por njëkohësisht edhe nëpër dyqane ku shiten produkte ushqimore.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Gjithçka që do të marrim si vendim të qeverisë do të zbatohen dhe të gjithë inspektorët janë solidarë dhe nuk e kursejnë as kohën e tyre as veten. Megjithatë lëmë hapësirë që të shikohet të mos humbin tregtarët, të shohim se cili është çmimi i importit dhe normalisht i kthejnë çmimet siç ishin para 9 marsit.”,- tha drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Penovski.
Në takim po ashtu është kërkuar që të shmanget rrëmuja gjatë blerjes në markete si dhe të mbahet llogari për kushtet higjienike. Për shkak të mosrespektimit të vendimeve të qeverisë, ISHT ka mbyllur dhjetë lokale.
ERSAN PAJAZITI
