Maqedoni

Spanjë, u ratifikua Protokolli për anëtarësim në NATO

17.03.2020 15:16

Në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes me virusin Korona, përmes një video-votimi...

Në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes me virusin Korona, përmes një video-votimi, gjë që e mundësojnë ligjet spanjolle, nga distanca Senati unanimisht dhe pa vota kundër, miratoi Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.
 
Kryediplomati, Nikolla Dimitrov, falënderoi Senatin spanjoll dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme që edhe përkundër gjendjes aktuale, ka vendosur në rend të ditës Protokollin. 
 
“Spanja është vendi i 29 dhe i fundit anëtar i NATO-s që ka ratifikuar Protokollin  për anëtarësimin tonë. Me këtë ka përfunduar procesi i ratifikimit i të gjithë aleatëve. Spanja tani do të deponojë në Departamentin e Shtetit në Uashington instrumentin e ratifikimit prej ku do të informohet NATO, ndërsa ne presim të informohemi dhe do të duhet edhe të dërgojmë instrumentin tonë të ratifikimit të Protokollit.”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
Ambasadori i Spanjës, Lorenzo Sera, i cili së bashku me shefin e diplomacisë në vend, Nikolla Dimitrov, në Qeveri e ndoqi votimin e kërkoi falje që Spanja është vonuar me këtë vendim për shkak të rrethanave politike atje.
 
“Siç tha ministri, Spanja po kalon një kohë të vështirë, Senati ka bërë diçka që është e re, votim nga distanca, respektivisht me video. Ishte shumë me rëndësi ta ratifikojmë Protokollin për anëtarësim. Vonimi i ratifikimit nga Spanja ishte si pasojë e rrethanave që u krijuan, pasi vendi ynë zgjedhjet e prillit i përsëriti në nëntor dhe kjo paraqiti problem.”,- theksoi ambasadori i Spanjës, Lorenco Sera.
 
Protokolli, më 27 shkurt, mori dritë të gjelbër nga Dhoma e ulët e Parlamentit spanjoll. Spanja është vendi i fundit nga anëtaret e NATO-s që ratifikoi Protokollin. 
 
NAIM RAMADANI