Maqedoni

Shkon në 26 numri i personave me Kovid-19, Filipçe: Tre të infektuar, dy janë bashkëshortë

17.03.2020 15:48

Shkon në 26 numri i të infektuarve me Kovid-19 në vend. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe....

Shkon në 26 numri i të infektuarve me Kovid-19 në vend. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se janë testuar 10 persona dhe testet e tre prej tyre janë pozitiv. Këta persona më parë janë testuar në Klinikën private “Zhan Mitrev” dhe pasi edhe Instituti i Shëndetit Publik ka bërë teste kontrolluese, konfirmohet rezultati paraprak. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se mund të rritet numri i të infektuarve në vend, duke mos përjashtuar mundësinë që ky numër të shkojë deri në 2000 të infektuar. Ai sërish apeloi që të respektohen masat e qeveris. 
 
“Ndërsa kulminacioni të arrihet diku për 1 muaj, duke filluar prej tani, sipas të gjitha këtyre informacioneve që kemi për këtë virus, pritet që numri i të infektuarve të rritet. Prandaj është shumë e rëndësishme që të parandalohet transmetimi lokal, do të bëjmë gjithçka që të parandalojmë këtë infektim. Këtë që do ta them merreni me rezervë, është e mundur që numri i pacientëve të sëmurë në vendin tonë të shkojë në 2000.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
                                                              
Ai tha se është siguruar transport për 200 personat në kufirin Hungari–Serbi dhe ata do të vendosen në karantinë grupore.
 
“Rreth 200 personat që janë shtetas tanë që ishin në kufirin Hungari – Serbi, tani me transport të organizuar pritet të sillen në pikën kufitare Deve Baier. Numri më i madh i atyre 200 personave sipas informacioneve që kemi, kanë punuar në zonat e rrezikshme, por informacione më të sakta do të kemi pasi që t’i intervistojmë gjatë hyrjes dhe të gjithë ata do të shkojnë në karantinë grupore në kasarnën “Pepelishte” në Krivollo, ku edhe janë siguruar kushte, janë furnizuar me ushqim, mediakmente, mbështetje mjekësore për kontrolle dhe sigurim i nevojshëm.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Filipçe njoftoi se janë kontaktuar nga Ambasada kineze dhe ka gjasa të arrijë ndihma në maska, uniforma mjekësore dhe aparate respiratore. Gjithashtu sërish do të aktivizohen linjat e autobusëve, por vetëm paradite dhe pasdite, kur edhe ka fluks më të madh të udhëtarëve. Qëndroni në shtëpi, mos u tuboni, dilni nga shtëpia vetëm nëse keni rast urgjent, mos kontaktoni me shumë njerëz, mbani distancë, lani duart 20 deri në 30 sekonda, apelon ministri i shëndetësisë.    
 
SANIJE DURAKU