Botë
Kosovë - Covid 19, shkon në 17 numri i të prekurve nga virusi Korona
17.03.2020 16:51
Në Kosovë janë konfirmuar dy raste të reja me virusin Korona, duke e çuar në 17 numrin e të prekurve...

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se dhjetë pacientë janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, ndërsa gjashtë të tjerë janë duke u trajtuar në shtëpi.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore, teksa bëri të ditur se dy prej tyre janë liruar nga Klinika e Infektive duke potencuar se deri më tani në laboratorin e mikrobiologjisë në Klinikën Infektive janë testuar 271 raste.
“Siç jeni njoftuar në vazhdimësi, deri më sot në Kosovë përmes laboratorit të mikrobiologjisë janë testuar 271 mostra të dyshimta dhe 17 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Gjendja e të prekurve është stabile, me përjashtim të njërit prej pacientëve, atij më të vjetrit, pacientët e tjerë janë në gjendje stabile, bile dy nga të hospitalizuar janë liruar në shtëpi, në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkaranatinë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Arben Vitia.
Edhe Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme dhe ka të gjitha kapacitetet, përfshirë edhe mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar rreth virusit Korona.
Kjo u njoftua pas takimit që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me komandantin e FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, me të cilin ka biseduar për nivelin e gatishmërisë së FSK-së për të ndihmuar në përballje me rrethanat e krijuara nga përhapja e COVID-19.
Mobilizimi i FSK-së është hapi i fundit para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ka thënë presidenti i Kosovës.
Pjesë e masave është edhe dezinfektimi i hapësirave publike në vendbanimet e Kosovës, përfshirë edhe kryeqendrën.
Pas përhapjes së COVID-it 19 më 13 mars, qeveria e Kosovës vendosi të izolojë komunat e Vitisë dhe Klinës, ndërsa më 15 mars, edhe komuna e Malishevës është vënë në karantinë.
GYLTENE SINANI
