Maqedoni
Masat e qeverisë anulojnë disa gjykime
17.03.2020 17:06
Masat për mbrojtje nga virusi Korona janë arsyeja për anulimin e gjykimit për organizatorët...

Masat për mbrojtje nga virusi Korona janë arsyeja për anulimin e gjykimit për organizatorët e dhunës së 27 prillit në Kuvend.
Avokatët nga zyra e avokatëve “Apostolski” kanë informuar trupin gjykues se janë në vetizolim për shkak të udhëtimit në vende me rrezik të mesëm, por edhe kontaktit me persona të cilët kanë ardhur nga vende me rrezik të lartë.
Vetizolimi i të gjithë të punësuarve në këto zyra do të vazhdojë deri më 27 prill. Për shkak të masave për mbrojtje dhe situatës së krijuar nga virusi Korona, mungesë kanë paralajmëruar edhe avokatët e tjerë.
Ndryshe, edhe procesi i djeshëm gjyqësor për rastin "Titanik 3", ku ishin të parapara fjalët përfundimtare, u anulua për shkak të respektimit të masave të paralajmëruara për mbrojtje nga virusi.
Në këtë rast i akuzuari, Ismet Guri, në bazë të rekomandimeve të Qeverisë, nuk u paraqit në seancë, pasi që është person që për 20 vite vuan nga diabeti.
Pas vendimit të Këshillit Gjyqësor për atë se cilat gjykime duhet mbahen e cilat duhet anuluar si masa preventive për mbrojtje nga virusi Korona, kryetari i Odës së Avokatëve, Lubomir Mihajllovski, thotë se kanë për qëllim të mbrojnë jo vetëm avokatët, por palët dhe gjithë shtetin.
Sipas tij, në gjykata ka numër të madh të personave që qarkullojnë, i njëjtë si ai në Sallë Universale, dhe kjo paraqet vend potencial për përhapje të virusit. Ai rikujtoi se Oda e Avokatëve ka dorëzuar letër kompetentëve që të mbahen vetëm lëndët urgjente.
“Nëse Qeveria miraton vendim që p. sh. të mos punojë një byrektore apo një kafene ku e frekuentojnë 30-40 persona, paramendoni në vetëm gjatë ditës së djeshme në Gjykatën Civile në Shkup, prej orës 8 deri në orën 10 e gjysmë kishim rreth 600 persona. Ajo është sikur e gjithë sallën universale ta sillni këtu.”,- tha kryetari i Odës së Avokatëve, Lubomir Mihajllovski.
Mihajllovski si katastrofale e sheh gjendjen nëse për shkak të kontaktit të avokatëve me persona të paraburgosur dhe burgosurit virusi përhapet në burgje, duke pasur parasysh kushtet shëndetësore atje.
FLORIJE BELULI KAMBERI
