Maqedoni
Kumanovë, 6 persona në izolim shtëpiak
17.03.2020 18:50
Pjesëtarët e SPB-Kumanovë po mbajnë nën kontroll 6 persona të cilët gjenden në izolim shtëpiak...

Pjesëtarët e SPB-Kumanovë po mbajnë nën kontroll 6 persona të cilët gjenden në izolim shtëpiak, pasi kanë qenë në kontakt apo në afërsi të personave të infektuar me virusin Korona – Kovid 19.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të respektojnë rekomandimet e Qeverisë për mbrojtje nga virusi Korona, ndër to edhe mbyllja e kafeneve, restoranteve, kazinove e bastoreve sportive si dhe objekteve tjera shërbyese.
Këtë e dëshmon edhe fakti se gjatë kontrollit të së hënës në orët e pasdites të realizuar nga policia dhe Inspektorati Shtetëror i Tregtisë në 40 lokale të ndryshme në qytet kanë hasur në respektim të tërësishëm të masave qeveritare, që do të thotë se nuk ka punuar asnjë lokal i kontrolluar.
Nga Shtabi Komunal për mbrojtje dhe shpëtim njoftojnë se në telefonat për asistim dhe ndihmë për të sëmurë dhe të moshuar janë paraqitur dhjetëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar ndihmë rreth furnizimit me artikuj ushqimorë apo barna.
Ndërkaq në kuadër të masave të Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, ekipe të Qendrës për Shëndet Publik kanë bërë dezinfektimin e tërësishëm të ambienteve të të gjitha shkollave fillore dhe të mesme.
“Në të dyja objektet e shkollës tonë, nga Qendra për Shëndet Publik po bëhet dezinfektimi i plotë në të gjitha klasat, korridoret e kabinetet. Është kjo një nga masat e qeverisë dhe Ministresë së Arsimit për parandalimin e përhapjes së virusit Korona, paraprakisht ne, nga MASh, kemi pranuar disa mjete dhe preparate higjienike, përveç këtyre ne si shkollë gjatë çdo fillimviti shkollor bëjmë rregullisht dezinfektimin e objekteve tona shkollore”,- tha për TVM2 drejtor i SH. F. “Bajram Shabani” në Kumanovë, Mustafa Ebibi.
Edhe ndërmarrjeve që kryejnë transportin publik si dhe të gjithë kompanitë të taksive u rekomandohet që të bëjnë dezinfektimin e automjeteve të tyre.
Ndërkaq, Ndërmarrja Publike “Pastrim dhe gjelbërim” vazhdon me pastrimin e rrugëve, duke u kyçur edhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve.
FATLUM AQIFI
