Maqedoni
Spasovski: Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme menjëherë!
18.03.2020 13:23
Në kohën kur është rritur në 35 numri I të infektuarve me virusin Korona...

Në kohën kur është rritur në 35 numri I të infektuarve me virusin Korona, qeveria ka vendosur të kërkojë nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, që në vend të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për t’u mbrojtur me masa më rigoroze nga përhapja e virusit korona. Edhe pse Parlamenti është shpërbërë, Spasovski sqaroi se ka mundësi kushtetuese që presidenti Stevo Pendarovski të vendosë gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 30 ditëve.
“Ballafaqohemi me situatë serioze dhe të jashtëzakonshme, duhet të ndërmerren masa të jashtëzakonshme. Kërkojmë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Maqedonisë, tani dhe menjëherë. Qeveria e RVM-së nuk ka më dilema, në seancë vendosëm që masat e deritanishme i kanë dhënë rezultatet e pritura, por është e nevojshme të shtohen masat, të përforcohen dhe të radikalizohen duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme, që të parandalojmë eskalim të situatës ..Ka bazë ligjore dhe kushtetuese, vetëm nevojitet vullnet dhe përgjegjësi të lartë nga gjithë subjektet politike ta pranojnë këtë realitet dhe të lejojnë të zbatohet kjo masë. Kjo do të jetë hera e parë në historinë e shtetit tonë të vendoset kjo masë. Ky është vendimi më i vështirë i Qeverisë në historinë e vendit tonë.” tha Spasovski duke sqaruar se në moment të tilla nuk duhet menduar për të bërë politike sepse në pyetje është shëndeti I të gjithëve.
Por cfarë do të thotë vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme. Sigurisht kjo nuk nënkupton që automatikisht do të vendosen ndalesa në lëvizjen e qytetarëve.
“Vendimet për ndalesat e reja, do t’i marrim në bazë ditore dhe do t’i informojmë qytetarët siç e kemi bërë këtë deri më tani. Situata e jashtëzakonshme i jep të drejtë Qeverisë dhe krijon kushte që në mënyrë efikase dhe të shpejtë të zbatohen masat për parandalim dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve si dhe fundja edhe ekonomisë tonë. Kështu Qeveria mund të punojë pa pengesa në këtë luftë me virusin dhe të ndërmerr masa për shpëtim të qytetarëve dhe ekonomisë”, sqaron kryeministri Spasovski.
Sipas nenit 125 të Kushtetutës së RMV-së: “Gjendja e jashtëzakonshme shpallet në raste të fatkeqësive të mëdha natyrore apo epidemive. Vendimi me të cilin vërtetohet gjendja e jashtëzakonshme sillet me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë. Nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, (siç është rasti aktual), vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e sjell Presidenti i shtetit d, I cili ia dorëzon Kuvendit për konfirmim, sapo të ketë mundësi të mblidhet….Gjatë gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, Qeveria në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligj sjell dekrete ligjore. Autorizimi i Qeverisë që të sjellë dekrete ligjore zgjat deri në përfundimin e gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, për të cilën vendon Kuvendi”.
