Botë
Shkaktoi panik rreth virusit Korona, Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm Agim Veliu
18.03.2020 14:20
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu, për shkak të deklaratave të këtij të fundit mbi gjendjen aktuale me virusin korona në Kosovë.Veliu, në një paraqitje televizive u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme madje ka shkaktuar edhe panik:
“Situata është serioze e numri i të prekurve po rritet nga ora në orë”.
Një deklarim të tillë nuk e kanë bërë deri tani as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thuhet në sqarimin e shkarkimit. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, e sidomos anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime.
Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është thuhet në sqarimin e kryeministrit Kurti, i cili ka njoftuar edhe Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për vendimin e shkarkimit dhe i ka kërkuar që sa më shpejtë të ma dërgojë emrin e ministrit të ri. Por Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e cilëson të papranueshëm shkarkimin e ministrit Agim Veliu madje ka theksuar se veprimet e njëanshme janë të dëmshme dhe çojnë në prishje të koalicionit.
Deri në zgjedhjen e ministrit të ri, të gjitha vendimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të merren nga zv. Ministri aktual, Xhelal Sveçla.
