Maqedoni

Gostivar, policia masa ndaj atyre që nuk respektojnë masat

18.03.2020 15:01

Gostivari, edhe më tej nuk ka asnjë rast infektimi të qytetarëve me virusin COVID-19....

Qyteti vazhdon të funksionojë nën masa të vetizolimit të një pjese të qytetarëve dhe një pjesë tjetër që rrefuzojnë t’I nënshtrohen këtij regjimi të mbrojtjes së sigurise së përgjithshme shëndetësore, edhe përkundër apeleve të shumta për t’iu përmbajtur  masave parandaluese. Në disa raste, këto apele, dhe serioziteti I situatës, nuk hasin në aprovim nga një pjesë e qytetarëve të cilët mund të jenë rrezik permanent edhe për pjesën tjetër të popullatës së qytetit.
 
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, në fshatin Dobridoll të Gostivarit, policia ka arrestuar 57 vjeçarin V.XH. për shkak se gjatë kontrollit në lokalin e tij, respektivisht në një internet kafe, Inspektorati ka gjetur 12 persona, në kundërshtim me masat e qeverisë. Policia njofton se personi në fjalë ka kryer vepër penale, gjegjësisht ka thyer ligjin sipas nenit 206 të Kodit Penal: “Mosrespektim i rregulloreve shëndetësore gjatë epidemisë”.
 
Gjithashtu, sot herët në mëngjes, dikur rreth orës 02:40 min., në Gostivar, është arrestuar një shtetas nga Shqipëria.“Për shkak të ekzistimit të dyshimit të kryerjes së veprës penale “kalim i kufirit shtetëror pa leje kalimi”, është privuar nga liria F.Z. 24 vjeçar nga Republika e Shqipërisë dhe është mbajtur në Stacionin Policor në Gostivar për procedurë të mëtejme”, thuhet në njoftimin e MPB-së. Merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
 
LULZIM HAZIRI