Maqedoni
Gjendja e jashtëzakonshme, Zaev: T'u përmbahemi rekomandimeve
18.03.2020 15:50
LSDM dhe VMRO-DPMNE janë deklaruar pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme...

LSDM dhe VMRO-DPMNE janë deklaruar pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme por gjithsesi secila me qëndrimet e saja për këtë lloj mase kushtetuese. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha se tani e rëndësishme është që t'i ndjekim dhe t'u përmbahemi rekomandimeve të institucioneve kompetente. Në atë mënyrë ne mund të ndihmojmë në mbrojtjen e shëndetit tonë dhe parandalimin e korona virusit tha Zaev.
"Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës, shpallja gjendjes së jashtëzakonshme do të kontribuojë në zbatimin e shpejtë dhe efikas të masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, njëkohësisht edhe për masat ekonomike për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët. Edhe një herë dua që t’i falenderoj të gjithë ata që janë të përfshirë në luftën kundër virusit, punonjësve të shëndetit, oficerëve të policisë, pjesëtarëve të ushtrisë, zyrtarëve, institucioneve dhe mediave. Përgjegjësi shtetërore është të jemi bashkë dhe vuajtjen mund të ndajnë së bashku. Bashk jemi më të fortë dhe çdo qytetar është i rëndësishëm."- tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Gjendja e jashtëzakonshme, Mickovski: Masat e Qeverisë janë vonuar
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se alarmi i kuq është ndezur. Ai beson se me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, pushteti për sjelljen e vendimeve do të ishte i përqendruar në duart e një personi teksa shton se qeveria është vonuar me masat.
"Unë kërkova shpalljen e gjendjes së krizës sepse qëndron më lart në nivelin e seriozitetit të veprimit, cilësisë dhe fleksibilitetit të menaxhimit me pasojat e virusit korona për dallim prej zbatimit të gjendjes së jashtëzakonshme me të cilën gjithë pushteti përqendrohet në duart e një njeriu dhe do të pajtoheni se kjo nuk është aq demokratike. Por kjo, edhe në këtë rast është sekondare. Për momentin ekziston një dilemë midis ekspertëve juridikë se çfarë është më efektive të aplikohet. Mendoj se së shpejti do vijmë në gjendje që të shpallim gjendje të krizës në disa pjesë të Maqedonisë, megjithatë konsideroj se qeveria është vonuar me masat dhe kriza do të rritet."- tha Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Mickovski shtoi se është e nevojshme të ngrihen detyrimet e kompanive ndaj shtetit, puna e të cilave ndikohet nga situata me virusin korona.
NAIM RAMADANI
