“Covid 19”, mbi 200 mijë të prekur në Botë, situatë alarmante në Europë, BE “blindon” kufijtë
Mesditën e së mërkurës, numri i personave të prekur nga virusi korona....

Mesditën e së mërkurës, numri i personave të prekur nga virusi korona në të gjithë botën ka kaluar shifrën 200 mijë, nga të cilët kanë humbur jetën 8250.
Teksa në Kinë janë regjistruar vetëm 13 raste të reja në 24 orët e fundit Situata në Evropë, aktualisht është alarmante.
Italia rrezikon të shpallet si vendi më i goditur nga “Covid 19”, sipas mesatares ditore të viktimave. Deri tani, në Itali janë prekur mbi 31 mijë persona, nga të cilët 2500 kanë humbur jetën.
Spanja është vendi i dytë më i prekur pas Italisë me mbi 11 mijë e 800 të infektuar, e mbi 530 viktima.
Autoritetet atje po mbajnë në izolim të pjesshëm 47 milion banorët. Në Francë qytetarët të cilët duan të dalin nga banesa duhet të kenë një dokument që detajon arsyet, ose në të kundërtën përballen me një gjobë prej 135 eurosh.
Franca, Anglia e Hollanda kanë regjistruar gjithashtu viktima së bashku me Gjermaninë.
Turqia raportoi vdekjen e pare nga koronavirusi ndersa rastet u dyfishuan brenda një dite, nga 47 në 98.
Bashkimi Evropian ndaloi udhëtimet nga jashtë bllokut për 30 ditë, në një lëvizje të paprecedentë për blindimin e kufijve mes krizës së koronavirusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se shtetet aziatike duhet të ndërmarrin masa më të ashpra për t’u parandaluar përhapja e virusit pandemik.
Nga virusi Korona, Irani është vendi i tretë i goditur, me 988 viktima dhe 137 vetëm në orët e fundit.
Koreja e Jugut është vlerësuar për përpjekjet e bëra në kontrollimin e virusit vdekjeprurës, duke u renditur në vendin e 6, pas Gjermanisë.
Qeveria e Seulit aplikoi mënyra të ndryshme inovative për të testuar më shpejt qytetarët nëse ishin të infektuar ose jo me “Covid-19”.
Malajzia, Sri Lanka dhe Filipinet janë të vetmit që kanë vendosur kontrolle strikte në pikat e tyre kufitare. Mianmari dhe Laosi nuk kanë raportuar të infektuar me koronavirus, edhe pse ekspertët shprehen skeptikë lidhur me besueshmërinë e këtij pretendimi.
Tajlanda ka një shtim të rasteve dhe ka vendosur të mbyllë të gjitha shkollat, baret, restorantet dhe qendrat e argëtimit. (Merita Gashi, TVM2)
