Presidenti Pendarovski shpalli Gjendje të Jashtëzakonshme

18.03.2020 18:25

Presidenti Republikës, Stevo Pendarovski shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë teritorin e vendit...

Presidenti Republikës, Stevo Pendarovski shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë teritorin e vendit për shkak të epidemisë me virusin korona. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë me mundësi për t’u vazhduar.

“Vendimi im bazohet në nenin 125 të Kushtetutës, i cili përshkruan një mundësi të tillë, nëse Kuvendi për arsye të ndryshme nuk mund të mblidhet. Konkretisht vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e morra për t’u mbrojtur dhe për t’u përballë me pasojat nga përhapja e virusit KOVID 19. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë. Dhe, në momentin kur Kuvendi do të ketë mundësi të mblidhet do t’i jepet për ratifikim. Pres që Qeveria, para mbarimit të këtyre 30 ditëve, të më jep raport të detajuar për efektet e deriatëherëshme të masave dhe propozim të saqruar për nevojën për vazhdim të mundshëm të gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë shtesë.” – tha Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend ndodh për herë të pare, kjo sips Presidentit tregon se sa e komplikuar është situata në të cilën gjendemi dhe sa i madh është rreziku për të gjithë.

 “Që sot pushteti ekzekutiv do të ketë kompetenca të shtuara dhe do të mund t’i shfrytëzojë të gjitha burimet e shtetit, përsëris të gjitha edhe shtetërore edhe private që të mund të përballemi me sukses me epideminë. Në situatë të jashtëzakonshme, qeveria do të mund të sjell dekrete me fuqi ligjore, për të vënë më shumë kufizime, në lëvizjen e qytetarëve, posaçërisht të sigurojë më shumë mjete për përkrahje të ekonomisë, e cila hyn në periudhë krize.” – deklaroi Pendarovski.

Pendarovski sqaroi se  ka gjetur përkrahjen e liderëve të partive më të mëdha, në pushtet dhe opozitë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri teknike, e cila sipas tij do të jetë përgjegjësja më e madhe për menaxhimin e situatës.

Në harmoni me autorizimet e shtuara, Presidenti ftoi Qeverinë, ministritë kompetente, Qendrën për Menaxhim me Kriza, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe të gjitha institucionet e përfshira që të informojnë çdo ditë për të gjitha aktivitetet që ndërmarrin si dhe për planet e përditësuara për veprimin në të ardhmen.

Ftoi Qeverinë që të pezullojë zgjedhjet e caktuara për më 12 prill ndërsa zgjedhjet parlamentare do të caktohen kur  të krijohen kushtet për shprehjen demokratike dhe korrekte të qytetarëve. Mesazh edhe për qytetarët.

“Jini të disciplinuar, të përgjegjshëm dhe solidar. Rrespektoni masat e Qeverisë.”,- porositi Pendarovski. (Shpëtim Nuredini, TVM2)