Mos respektimi i vetë-izolimit, dhjetëra padi penale ndaj qytetarëve
Mbrëmjen e së martës, SPB e Kumanovës gjatë një kontrolli policor....

Mbrëmjen e së martës, SPB e Kumanovës gjatë një kontrolli policor nuk i ka gjetur në shtëpitë e tyre dy nga gjashtë të izoluarit.
Ndaj tyre do merren masat ligjore në raste të tilla. Mosrespektim të izolimit shtëpiak ka edhe në Pllasnicë të Kërçovës. Një 53 vjeçar i cili më 16 mars është kthyer nga Sllovenia përmes kalimit kufitar Tabanoc, ka nënshkruar deklaratë se 14 ditë do izolohet në shtëpinë e tij në Pllasnicë, por dy ditë më vonë policia e ka ndaluar mes Makedonski Brodit dhe Kërçovës, pas çka kanë ngritur kallëzim penal për mosrespektim të rekomandimeve shëndetësore në kushte epidemie.
Në Valandovë, dy persona u kthyen më 13 mars nga Gjermania, një vend i vlerësuar me rrezik të lartë nga OBSH-ja. Në vend që të ishin në shtëpi, ata kanë kontaktuar bashkëqytetarët si dhe ishin në Departamentin e Çështjeve Administrative në Valandovë.
“Prokuroria kërkon të shpallen fajtorë dhe t’u shqiptohet dënim në të holla, gjobë ditore apo 123 mijë denarë për të dy personat”.
Edhe një nënë dhe vajza e saj nga Strumica janë kthyer nga Piaçenca e Italisë dhe nuk i kanë ndjekur rekomandimet për izolim nga virusi korona.
Prokuroria Themelore Publike njofton se më 27 dhe 28 shkurt, në raste të ndara kanë zbritur nga banesat, ku janë parë nga nëpunësit e policisë dhe janë paralajmëruar të kthehen në vendbanimin dhe ti zbatojnë masat.
Të pandehurat me grindje verbale u janë kundërvënë personave zyrtarë, dhe nuk i kanë respektuar paralajmërimet.
Në Dobridoll të Gostivarit, dje një lokal u ka shërbyer mysafirëve edhe përkundër ndalesës. Prokuroria kërkon që ndaj tij të shqiptohet dënim në të holla.
Gjithashtu, sot herët në mëngjes në Gostivar, është arrestuar një 24 vjeçar, shtetas nga Shqipëria.
“Për shkak të ekzistimit të dyshimit të kryerjes së veprës penale “kalim i kufirit shtetëror pa leje kalimi”, ai është privuar nga liria. (Flutura Latifi, TVM2)
