Prishtinë, arrestohen 9 zyrtarë shëndetsorë

09.10.2014 18:13

Nëntë mjek dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, janë arrestuar në Kosovë nën akuzën për keqpërdorim të detyrës.....

Me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Njësiti për Krime Ekonomike nga Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion të gjerë në Prishtinë dhe Pejë, ku ka arrestuar nëntë persona, në mesin e të cilëve është edhe mjeku Borçe Petrovski,nga Maqedonia.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë rast, në qershor të vitit 2014, ka nxjerr aktvendim për fillim të hetimeve kundër 12 personave në mesin e të cilëve është edhe Minsitri aktual i shëndetësisë Ferid Agani, i cili vetëm është intervistuar.

Për këta të pandehur ekziston dyshimi se duke vepruar në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private Internacional Medicine Hospital  dhe INTERMED, pa shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Disa nga të pandehurit kanë marrë ryshfet nga dy klinikat private të lartcekura, ndërsa zyrtarët e klinikave u kanë dhënë ryshfet atyre, për t’i dërguar pacientët në klinikat e tyre. Njëri nga këto spitale nuk ka pasur fare licencë pune dhe gjithashtu edhe mjekët që kanë punuar në atë spital nuk kanë licencë për kryerjen e intervenimeve mjekësore në zemër, e të cilat i kanë kryer.