Maqedoni

Dibër, 27 të sëmurë, 7 prej tyre personel mjekësor

19.03.2020 14:37

Në zonën e krizës, Dibër e Qendër Zhupë, aktualisht ka 27 persona të prekur nga virusi Korona....

Shqetësues është fakti se shtatë prej tyre janë mjekë e infermierë. Nëse vazhdon ky trend i prekjes së personelit mjekësor, në të ardhmen nuk do të ketë se kush të kujdeset për pacientët, prandaj në këtë situatë të jashtëzakonshme, apeli primar është të mbrojmë mjekët dhe personelin shëndetësor, e sigurisht rreptësisht të respektojmë masat. Nga shtabi i emergjencës kërkojnë më shumë mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor. 
 
“Për mbrojtjen ndaj sëmundjeve ngjitëse nuk mund të ketë mbrojtje të improvizuar, 7 mjekë dolën pozitivë. Nëse bie linja e parë e mbrojtjes, mjekët, kush do ta luftojë sëmundjen? Është e nevojshme mbrojta e tyre. Të sillen mjete adekuate se nuk e kemi të adaptuar spitalin për të luftuar sëmundjen, nesër ose pasnesër të sillet ekipi i trajnuar për vendosjen në respiratorë të pacientëve, mendoj se duhen sjellë dy respiratorë me ekip i specializuar, nëse duhen 10 apo 20 specialistë, aq të sjellin. Dibra është epiqendra e krizës, nëse nuk luftojmë këtu do të kemi probleme në të gjithë vendin.”,- deklaroi kryetari i komunës së Dibrës, Hekuran Duka.
 
Për të ndihmuar, në shtabin e emergjencës janë paraqitur edhe shoqata të tjera humanitare dhe biznesi privat. 
 
ATLI DEMA