Maqedoni
Gostivar, konfirmohet rasti i parë me virusin Korona
19.03.2020 14:51
Në Gostivar është konfirmuar rasti i parë me virusin Korona....

Në Gostivar është konfirmuar rasti i parë me virusin Korona. Bëhet fjalë për një grua të moshës mbi 40 vjeçare, e cila të mërkurën është paraqitur bashkë me burrin e saj në Repartin Infektiv, me djegie të fytit dhe shtrëngime në kraharor. Lajmi është bërë i ditur nga Reparti Infektiv në Gostivar. Sipas infektologut, Enes Memedi, pacientja menjëherë është izoluar në Repartin Infektiv dhe rezultatet treguan se është pozitive me Covid-19. Gjendja e saj është stabile, por nëse shfaqet ndonjë lloj komplikimi do të dërgohet në Shkup, njoftojnë nga Reparti Infektiv në Gostivar.
Është testuar edhe bashkëshorti i saj dhe priten rezultatet edhe nga ky person, ndërsa do të izolohen të gjithë njerëzit që mund të kenë pasur kontakt me të. Shtabi i Emergjencës në Gostivar, ku përfshihen komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë, mbajti mbledhje në të cilën u shqyrtua situata aktuale me virusin Korona dhe u përcaktuan masat që duhet të ndërmerren në vijim.
Konstatim i përgjithshëm ishte se situata në përgjithësi është nën kontroll dhe se problemet me të cilat ballafaqohen si institucionet ashtu edhe vetë qytetarët janë të përballueshme dhe ato mund të minimizohen me bashkëpunim dhe koordinim të thelluar. Në kumtesën e lëshuar nga ky shtabi theksohen edhe konkluzionet:
- Të respektohen me përpikëri rekomandimet e Qeverisë dhe të mos bëhet fare kompromis;
- Të gjitha institucionet të ushtrojnë ndikimin e vet që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi;
- Të ndërtohet strategji për izolim të rasteve potenciale të infektuar me virusin Korona dhe të sigurohen kushte adekuate;
- Të mbahet në nivel të lartë higjiena në të gjitha institucionet shtetërore dhe komunale;
- Lëvizja e qytetarëve të reduktohet në minimumin e mundshëm dhe
- Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ngrihet në nivel maksimal.
Shtabi i krizës vendosi edhe që tregu i qytetit të mbyllet, edhe pse për punën e tregjeve të hapura tash për tash nuk ka ndonjë vendim të definuar nga ana e Qeverisë.
LULZIM HAZIRI
