Maqedoni
Thaçi: Ushtria t’i mbrojë institucionet e shëndetësisë
19.03.2020 15:06
Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, u është bashkuar apeleve drejtuar qytetarëve....

Kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, u është bashkuar apeleve drejtuar qytetarëve, si lider partie dhe mjek, për kujdes të madh dhe izolim. Ai rekomandoi që Qeveria t’i sigurojë institucionet shëndetësore me anëtarët e Armatës. U apeloi qytetarëve t’i respektojnë rreptësisht rekomandimet për vetizolim. Nga apelet drejtuar Qeverisë theksoi të hapen fonde për urgjencë për funksionimin e institucioneve.
“Ushtria të dalë menjëherë e të mbrojë institucionet shëndetësore. Duhet mbrojtje për mjekët. Ata janë oficerët tanë ndaj luftës. Nëse kemi oficerë të plagosur, do të thotë kemi mjek të lënduar që nuk e mbrojmë ne, jemi në situatë kur në vend ta fitojmë luftën për tre muaj, të shkojmë deri një vit e më shumë. Qeveria urgjentisht të sjellë masa që të rritet validiteti i recetave të të sëmurëve kronikë dhe të mos jetë vetëm 15 apo 30 ditë, sepse çdo të tretën ditë pacienti shkon te mjeku amë, mundësia për infektim është më e madhe. Ju që nuk do t’i respektoni këto standarde, nesër do të jeni fajtorë për vrasjen e shumë nga të afërmit tuaj, qofshin ata prindër, vëllezër dhe motra më të moshuar. Rrezik më të madh shkaktojnë njerëzit që janë të fortë dhe kanë imunitet të fortë dhe janë në gjendje të infektojnë gjeneratën e tretë. Ata nuk do të kenë simptoma dhe kam frikë se sjellja e tyre nuk do të jetë e përshtatshme nëse dalin jashtë.”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
