Ekonomi

Beksteshi: Ka ushqime të mjaftueshme për disa muaj

19.03.2020 15:26

Të gjithë qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi rezerva ushqimore ka mjaftueshëm....

Të gjithë qytetarët duhet të jenë të qetë, pasi rezerva ushqimore ka mjaftueshëm, madje për disa muaj, thotë ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, pas takimit me përfaqësuesit e kompanive më të mëdha ushqimore.
 
Po ashtu për të mbështetur kompanitë prodhuese në këtë periudhë krize, Bekteshi tha se Qeveria ka vendosur që kompanitë prodhuese t’i lirojë nga pagesa e taksave gjatë doganimit.                 
                                                            
“Ka ushqim të mjaftueshëm, ka kapacitetet të mjaftueshëm për të prodhuar produktet ushqimore në vendin tonë. Ne si Qeveri, si institucione përkatëse u dolëm në ndihmë dhe nga sot morëm edhe masa konkrete ku do t’i lëshojmë nga taksat apo doganat, produktet të cilat janë bazë për të krijuar produkte të ndryshme nga ana e kompanive vendore.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.    
 
Angellova: Për ndihmë kompanive rreth 120 milion euro
 
Janë paraparë 100 deri 120 milionë për veprimtaritë e prekura, deklaron  ministrja e financave, Nina Angellovska. Ajo u bëri thirrje kompanive të cilat nuk janë të prekura nga kriza që ka shkaktuar virusi Korona, t’i paguajnë paraprakisht taksat ndaj shtetit, që shteti t’i ndihmojnë sektorët e prekur.     
                                                                                                  
“Për çdo ditë mësojmë diçka të re, paparashikushmëria është e madhe në çdo aspekt. Kërkojmë solidaritet, nuk është koha për përfitime. Ndihma duhet të ofrohet nga të gjithë tani. Iu kam bërë thirrje kompanive që nuk kanë probleme dhe të cilat realizojnë përfitim, t’i paguajnë taksat paraprakisht. Ne do të kujdesemi që sa më shpejtë të bëhet kthimi i TVSh-së në mënyrë që të rritet likuiditeti.”,- u shpreh ministrja e financave, Nina Angellovska.      
 
Inspektorati i Tregut: Dënime për ata që kanë rritur çmimet
 
Ata që kanë rritur çmimet pas 11 marsit rrezikojnë të përballen me dënime të ashpra, thonë nga Inspektorati i Tregut.  
 
“Vlejnë masat bazuar nga vendimi që ka marrë Qeveria. Dënimet janë 5 mijë euro, ndërsa bazuar në Kodin Penal neni 25/26 parasheh dënime burg prej 1 viti, pasi keni parasysh kemi gjendje të jashtëzakonshme.”,- tha Stojko Paunoski nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.  
 
Tanasoski: Korridor të gjelbër me korsi për maunat me ushqime
 
Për të lehtësuar qarkullimin e maunave me produkte ushqimore dhe farmaceutike në këtë periudhë, shtetet anëtare të CEFTA-s do të dakordohen për korridor të gjelbër me korsi që do të kenë prioritet maunat me mallra ushqimore dhe farmaceutike.                     
                             
“Kërkesë kryesore e të gjithë kompanive është të mundësohet lirshëm qarkullimi i mallrave jo vetëm në CEFTA, rajonin, por në vendet tjera të BE-së. Si doganë jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, kemi vendosur në dispozicion të gjitha kapacitetet tona për të mundësuar qarkullim të lirë të mallrave.”,- u shpreh drejtori i doganave, Gjoko Tanasoski.   
                                                                                                                                    
Sa i përket mundësisë për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredive, Angellovska theksoi se do të mblidhet Komiteti për Stabilitet Financiar së bashku me Bankën Qendrore për të diskutuar mundësinë e prolongimit për 3 muaj të këtyre pagesave, duke mbajtur llogari që të mos dëmtohet likuiditeti financiar në vend. 
 
ZEKIRJA MEXHITI