Maqedoni
Takimi virtual Dimitrov-Rot, solidaritet europian për t’u përballur me Covid-19
19.03.2020 16:01
Konferenca e përbashkët virtuale mes ministrit të jashtëm gjerman, Mihael Rot...

Konferenca e përbashkët virtuale mes ministrit të jashtëm gjerman, Mihael Rot, dhe ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrov, pati për qëllim demonstrimin e shoqërimit dhe solidaritetit më të zgjeruar të Bashkimit Europian me vendet e rajonit të Ballkanit. Temë e bisedimeve ka qenë virusi Korona dhe sfidat në menaxhimin e situatës. Bashkëbiseduesit ranë dakord që Bashkimi Europian duhet t’ju dalë në ndihmë jo vetëm shteteve anëtare, por dhe shteteve të tjera të rajonit të Ballkanit në ballafaqim me virusin Korona.
“Ashtu siç ishte me krizën e migrantëve, ashtu është edhe me Covid-19. Virusi nuk ka identitet kombëtar, nuk njeh kufij, religjione, ai i sulmon të gjithë njerëzit. Do të ishte mirë nëse BE e shqyrton mundësinë që përveç vendeve anëtare, ndihmë për të menaxhuar situatën t’u ofrojë edhe vendeve nga rajoni.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Ministri gjerman, Mihael Rot, jo vetëm që dha mbështetje për proceset integruese për vendin, dha gjithashtu edhe mbështetje për sfidën me të cilën po përballemi, virusin Covid-19. Rot shtoi se pasojat nga përhapja e Covid-19 do të reflektohet në të gjithë botën, megjithatë BE do të vazhdojë të mbështesë vendet e rajonit të Ballkanit. Ai kërkoi durim nga qytetarët e RMV-së, duke thënë se Unionit i nevojitet vendim për fillimin e bisedimeve me RMV-në dhe Shqipërinë, e shprehu optimizëm se javën e ardhshme anëtaret e Unionit do t’i japin dritë jeshile procesit.
“Kjo periudhë është sfidë jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për shtetet e zhvilluara, siç është Gjermania. Në këto momente me rëndësi është solidarizimi dhe rekomandimet për mbrojtje të shëndetit. Ajo që po ndodh në botë do të ketë impakt, ndërkohë Bashkimi Europian do të bëjë çmos që t’ju ndihmojë për ta përballuar situatën.”,- tha ministër gjerman për Europën, Mihael Rot.
Dhurata prej 50 mln eurove nga BE, Osmani: Të dedikohet për menaxhim me Covid-19
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, njoftoi ndërkohë se përmes një letre ka kërkuar nga Komisioni Evropian që shpërblimin prej 50 milionë eurove për Maqedoninë e Veriut ta dedikojë për menaxhim me situatën e virusit Korona. Osmani tha se këto para janë dhuratë pas reformave në shtet, ndërsa fillimisht ishin të dedikuara për infrastrukturën e ambientit jetësor.
“Me këto para kemi planifikuar të financojmë projekte për problemet në ambientin jetësor, ndërsa fillimisht ishin për projekte nga Marrëveshja e Prespës, por tani këto projekte janë në plan të dytë dhe kërkojmë që Komisioni Evropian këto mjete t’i ridedikojë për menaxhim me situatën pas përhapjes së virusit Korona. Qeveria e ka miratuar këtë kërkesë dhe presim përgjigje nga komisari, Oliver Varhelyi.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Përveç këtyre mjeteve, nga Banka për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut është kërkuar ndihmë financiare për kompanitë që kanë pësuar nga virusi Korona.
REJHANE BUSHI METAJ
